UEFA: Pango na gënjeu për FSHF
"Këto ndërhyrje mund të arrijnë deri në sanksione kundër Federatave anëtare, kur ato dhunohen" TIRANË- UEFA dhe FIFA, dy institucionet që kontrollojnë të gjithë futbollin botëror, shprehen fuqimisht kundër kontrollit financiar që kërkon të bëjë Ministria e Kulturës dhe ajo e Financave në Federatën Shqiptare të Futbollit. Madje ato kanë kërcënuar me ndërmarrjen e hapave të mëtejshme që mund të shpien edhe në përjashtimin e Shqipërisë nga kompeticionet ndërkombëtare vetëm sepse qeveria nuk ndalet përpara dëshirës së saj për të qeverisur edhe FHSF-në. Me anë të një letre zyrtare që ka mbërritur dje në zyrën e ministrit Pango, këto dy institucione janë shprehur tepër të zhgënjyera nga ajo që po ndodh në vendin tonë. FIFA dhe UEFA kanë kërkuar nga ministri Pango ndalimin e menjëhershëm të kontrollit financiar pasi ajo konsiderohet si një ndërhyrje e hapur e qeverisë kundër FSHF-së dhe organeve të saj. "Ju kujtojmë juve zoti Ministër (Ylli Pango), që keni konfirmuar dhe i keni premtuar Zv/Presidentit të FIFA-s, zotit Senes Erzik, gjatë një vizite të delegacionit të përbashkët të FIFAs dhe UEFA-s në zyrat tuaja më datë 09.06.2007, se Qeveria shqiptare nuk ka interes në auditimin në fondet e FIFA-s dhe UEFA-s", thuhet në letrën e dy institucioneve më prestigjioze të futbollit në botë. "Jemi informuar nga Federata Shqiptare e Futbollit se është njoftuar një audit i shërbimeve të Ministrisë suaj dhe asaj të Financave, duke filluar nga data 21 janar 2008. Siç jemi njoftuar programi i auditit, do të përfshijë gjithashtu edhe fondet e akorduara nga FIFA dhe UEFA, për FSHF. Institucionet qeverisëse të futbollit ndërkombëtar, kundërshtojnë me forcë një audit të tillë në zyrat e FSHF-së. Na duhet të pranojmë se jemi shumë të zhgënjyer nga ky hap i Ministrisë së Financave, gjithashtu dhe i Ministrisë përgjegjëse për sportin, gjë të cilën në e konsiderojmë hapur, një ndërhyrje qeveritare në FSHF dhe në organet e saj. Siç mund ta dini, këto ndërhyrje janë shkelje e statutit të UEFA-s dhe FIFA-s, (respektivisht neni 17 dhe 9). Këto ndërhyrje mund të arrijnë deri në sanksione kundër Federatave anëtare, kur ato dhunohen",- thuhet në letrën e drejtuar ministrit Pango. Por dy institucionet që qeverisin futbollin botëror nuk janë ndalur me kaq. Ato kanë kërkuar ndalimin e menjëhershëm të auditit financiar kundër FSHF, që përfshin edhe fondet e FIFA-s dhe UEFA-s. Kërkesa tjetër e tyre është ajo e anulimit të veprimeve ligjore që pengojnë regjistrimin në Gjykatën përkatëse të statutit të FSHF-së, adaptuar në Asamblenë e Përgjithshme të FSHFsë në qershor të 2007, në mënyrë që statuti i FSHF-së të jetë i regjistruar deri më datë 21 shkurt 2008. Pak kohë më parë, vetë kryeministri Berisha dhe ministri Pango kanë pohuar se dy ndeshjet e fundit të kombëtares shqiptare të futbollit kanë qenë të trupuara. Ata kanë akuzuar kreun e FSHF-së për këto ndeshje duke e konsideruar si një nga personat përgjegjës. Madje ministri Pango ka deklaruar publikisht se ka dërguar në UEFA një dosje të plotë ku tregohet në mënyrë të qartë se presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka fiksuar ndeshjet e fundit kualifikuese. Por në letrën e djeshme ministri Pango ka marrë një përgjigje edhe për këtë çështje. Atij i është sqaruar nga ana e UEFA-s se dosja është dërguar por në të nuk kishte fakte që të provonin akuzat e bëra. "Ju kërkojmë të dërgoni në UEFA, brenda datës 21.02.2008, faktet e premtuara nga Ju, për akuzat ndaj Presidentit të FSHF-së Armand Duka në lidhje me fiksimin e ndeshjeve kualifikuesetë EURO 2008", ka shkruar në letër sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, David Taylor. Institucionet që qeverisin futbollin botëror kanë lëshuar dje edhe një kërcënim në drejtim të qeverisë shqiptare, një kërcënim që prek të gjithë futbolldashësit shqiptarë kudo që ndodhen. "Nëse FIFA dhe UEFA nuk marrin konfirmimin e kërkuar me shkrim, brenda afateve të caktuara, dhe duke e konsideruar vazhdimësinë e masave të marra kundër FSHFsë, ashtu si edhe klimën e vazhdueshme të ndërhyrjeve në futboll, në vendin tuaj, administrata e FIFA-s dhe UEFA-s, nuk kanë rrugë tjetër përveçse të drejtojnë një raport në mbledhjet e ardhshme të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s dhe UEFAs, për të ndërmarrë hapat e nevojshme, të cilat mund të çojnë drejt pezullimit të FSHFsë. Në shpresojmë që autoritetet qeveritare shqiptare, do të kuptojnë shqetësimin serioz të FIFA-s dhe UEFA-s, si edhe vendimin tonë për tonë për të ruajtur pavarësinë e FSHF-së, siç është parashikuar në statutet tona",- thuhet në letrën e nënshkruar nga Sekretar i Përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke dhe Sekretar i Përgjithshëm i UEFAs, David Taylor. Duka në Zyrih për problemet me qeverinëTIRANË- Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, do të jetë i pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Federatave që do të zhvillohet më datën pesë shkurt në Zyrih të Zvicrës. Burime nga zyra e shtypit të FSHF-së thanë se në këtë mbledhje, një nga më të rëndësishmet për organizmin e futbollit botëror, do të diskutohet për disa shkelje dhe ndërhyrje të shtetit në punët e federatave të ndryshme si, rastet e Turqisë, Perusë, Iranit, Qipros, të cilët prej kohësh kanë kontradikta të thella me shtetin, për arsye të ndryshme. Të njëjtat burime vunë në dukje se pritet që në këtë takim të rëndësishëm të diskutohet edhe për rastin e Shqipërisë, ku gjatë kësaj periudhe dyvjeçare ka pasur një përplasje të vazhdueshme mes FSHFse dhe organizmave shtetërore. PREMTIMI I HARRUAR "Institucionet qeverisëse të futbollit ndërkombëtar, kundërshtojnë me forcë një audit të tillë në zyrat e FSHFsë. Gjithashtu ju kujtojmë juve zoti Ministër, që keni konfirmuar dhe i keni premtuar Zv / Presidentit të FIFA-s zotit Senes Erzik, gjatë një vizite të delegacionit të përbashkët të FIFA-s dhe UEFA-s në zyrat tuaja më datë 09.06.2007, se Qeveria shqiptare nuk ka interes në auditimin në fondet e FIFA-s dhe UEFA-s." ZHGËNJIMI I NDËRKOMBËTARËVE "Na duhet të pranojmë se jemi shumë të zhgënjyer nga ky hap i Ministrisë së Financave, gjithashtu dhe i Ministrisë përgjegjëse për sportin, gjë të cilën ne e konsiderojmë hapur, një ndërhyrje qeveritare në FSHF dhe në organet e saj. Siç mund ta dini, këto ndërhyrje janë shkelje e statutit të UEFA-s dhe FIFA-s, (respektivisht neni 17 dhe 9). Këto ndërhyrje mund të arrijnë deri në sanksione kundër Federatave anëtare, kur ato dhunohen." KËRKESAT "Me këtë rast FIFA dhe UEFA ju ftojnë Ju, që të merrni masat e mëposhtme: Ndalimi i menjëhershëm i auditit financiar kundër FSHF, që përfshin edhe fondet e FIFA-s dhe UEFA-s. Të dërgoni në UEFA, brenda datës 21.02.2008, faktet e premtuara nga Ju, për akuzat ndaj Presidentit të FSHF-së Armand Duka në lidhje me fiksimin e ndeshjeve kualifikuese të EURO 2008. Të anulojë veprimet ligjore që pengojnë regjistrimin në Gjykatën përkatëse të statutit të FSHFsë, adaptuar në Asamblenë e Përgjithshme të FSHFsë në qershor të 2007, në mënyrë që statuti i FSHFsë të jetë i regjistruar deri më datë 21 shkurt 2008" KËRCËNIMI "Nëse FIFA dhe UEFA nuk marrin konfirmimin e kërkuar me shkrim, brenda afateve të caktuara, dhe duke e konsideruar vazhdimësinë e masave të marra kundër FSHFsë, ashtu si edhe klimën e vazhdueshme të ndërhyrjeve në futboll, në vendin tuaj, administrata e FIFA-s dhe UEFA-s, nuk kanë rrugë tjetër përveçse të drejtojnë një raport në mbledhjet e ardhëshme të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s dhe UEFA-s, për të ndërmarrë hapat e nevojshme, të cilat mund të çojnë drejt pezullimit të FSHF-së"