E Diel, 1 Nëntor 2026

Reforma, dosje për gjyqtarët që nga fëmijëria

Komisioni i Ligjeve miratoi dje, disa ndryshime që lidhen kryesisht me karrierën e gjyqtarëve
Miratohet me konsensus propozimi për të krijuar për herë të parë në fushën e gjyqësorit një sistem vlerësimi"
TIRANË- I janë dashur plot 3 orë kohë Komisionit parlamentar të Ligjeve, për të diskutuar vetëm 5 nene të projektligjit për "Organizimin e Pushtetit Gjyqësor" nga 45 që përmban gjithsej. Pavarësisht kohës së gjatë dhe konsensusit të shprehur paraprakisht, anëtarët e këtij komisioni nuk kanë mundur që të miratojnë të gjitha pikat që përmbanin nenet në fjalë, duke bërë që për shumë prej tyre të kërkojnë shtyrje të diskutimit. Pa praninë e medias, në një seancë të mbyllur, Komisioni i Ligjeve është përfshirë dje nga debate të gjata, ku natyrisht diskutimi duket se ka qenë më shumë teknik sesa politik. Çështja e emërimit, kriteret e përzgjedhjes dhe betimi i gjyqtarëve kanë qenë objekt i debatit gjatë mbledhjes së djeshme të këtij komisioni.
Miratimi
Të gjithë gjyqtarët që do të pretendojnë të bëjnë karrierë në sistemin gjyqësor, do të duhet që të kalojnë nëpërmjet një procedure të re vlerësimi. Komisioni i Ligjeve, në kuadër të reformës në drejtësi, ka miratuar dje me konsensus propozimin për të krijuar për herë të parë në fushën e gjyqësorit një sistem pikëzimi. Pra, puna vjetore e çdo juristi, në çdo nivel, do të vlerësohet me pikë dhe në bazë të saj do të bëhet dhe vlerësimi për të kaluar në një shkallë më të lartë të gjyqësorit. Ndërkohë, një tjetër pikë e rëndësishme e kaluar dje në Komisionin e Ligjeve ishte edhe ajo e krijimit të një dosjeje me të dhëna të detajuara, për çdo gjyqtar. Ideja e krijimi të Gjykatës së të Miturve, ka lindur nevojën që për çdo gjyqtar të krijohet një dosje personale, ku natyrisht, përveç të dhënave profesionale, të përfshihen edhe të dhënat personale, siç është fëmijëria, gjendja civile, marrëdhëniet familjare etj., si kusht i domosdoshëm për emërime në gjykata të veçanta, siç është ajo për fëmijët. Gjithashtu, një çështje tjetër e kaluar në komision ka qenë edhe ajo që ka të bëjë me emërimet në gjykatat e apelit. Ndryshe nga sa përmban projektligji për organizimin e gjyqësorit, Komisioni i Ligjeve ka miratuar propozimin që një gjyqtar duhet të ketë 8 vjet punë në Gjykatën e Shkallës së Parë, për të kaluar më pas në Gjykatën e Apelit.
Debati
Një nga çështjet ku dhe është përqendruar dhe debati më i madh ka qenë ai i përcaktimit të kritereve që duhet të plotësojë një jurist, për t'u emëruar gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë. Për këtë komisioni ka diskutuar gjatë në lidhje me një propozim të grupit të ekspertëve, sipas të cilit, gjyqtarë duhet të emëroheshin apo zgjidheshin vetëm ata individë që kanë mbushur 30-vjeç. Një kriter i cili duket se ka ngjallur dhe një diskutim të gjatë midis anëtarëve të komisionit, një pjesë e të cilit ka vlerësuar se vendosja e një kriteri të tillë, bie ndesh me Ligjin për Magjistraturën, apo edhe me përvojën e vendeve të tjera. Kështu, mësohet se deputetë të ndryshëm e kanë kundërshtuar këtë propozim, me argumentin se praktika jo vetëm në fushën e drejtësisë, por edhe ajo politike në vend, ka treguar se individë edhe me moshë më të vogël se 30-vjeçar kanë arritur të marrin përgjegjësi edhe më të mëdha sesa ajo e një gjyqtari, siç është rasti i disa kryeministrave shqiptarë. Megjithatë, burime pranë komisionit bëjnë të ditur se, kjo çështje është lënë që të diskutohet edhe një herë, kur komisioni të marrë në shqyrtim Ligjin për Magjistraturën. Ndërkohë që një çështje tjetër që ka ngjallur debat, ka qenë edhe ajo e dekretimit të gjyqtarëve të rinj nga ana e Presidentit. Grupi i ekspertëve i ka propozuar komisionit që për afatin e dekretimit, të vendoset një afat 30-ditor, gjë që është konsideruar si e papranueshme nga një pjesë e komisionit. Kjo ka bërë që edhe për këtë çështje të kërkohet një mendim më i kualifikuar nga specialistë të fushës së drejtësisë. Edhe çështja formale e betimit të gjyqtarëve ka krijuar në komision një tjetër debat, çka ka bërë që edhe për të mos gjendet konsensusi. Sipas burimeve pranë komisionit, mësohet se deputetët kanë debatuar nëse gjyqtari i duhet të betohet përpara Presidentit apo Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›