E Diel, 1 Nëntor 2026

UEFA, e shqetësuar: Klubet në krizë

Klubet e Premierligës rrezikojnë seriozisht të falimentojnë, nëse tentojnë të rivalizojnë Mançester Sitin për sa u takon shpenzimeve: që prej kalimit në pronësi të arabëve të Abu Dhabi-t, "Sitizëns" kanë siguruar burime të jashtëzakonshme financiare. Alarmi është dhënë nga sekretari i UEFA-s, Devid Tejlor, gjatë një interviste për "BBC Radio Five". Siti ka qenë një prej skuadrave më aktive në merkato. Vetëm në këtë verë, skuadrës së drejtuar nga Mark Hjuxhs i janë shtuar Gereth Berri, Roke Santa Kruz, Karlos Tevez, Emanuel Adebajor e Kolo Ture. Shpenzimet milionere të Sitit kanë ardhur në një periudhë kur pjesa më e madhe e klubeve angleze ndien peshën e krizës financiare, e cila ka shqetësuar edhe UEFA-n. "Zërat që qarkullojnë rreth kampionatit anglez janë alarmantë", tha Tejlor. "Vlera e shumë klubeve ka rënë dhe efektivisht ato janë në merkato dhe të gatshme t‘i shiten blerësit që paguan më shumë. Shpresojmë që pasojat të mos i vuajnë skuadrat, por rreth kësaj nuk mund të flasim me siguri. Të gjithë jemi dëshmitarë dhe kemi parë se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre viteve të fundit me skuadra të nivelit të lartë, si për shembull Lidsi. Në një moment të caktuar, klubi u gjend në vështirësi shumë të mëdha financiare prej keqmenaxhimit". Në fakt, Lidsi ka një histori shumë të trishtueshme: në vitin 2001, skuadra ishte gjysmëfinaliste e Ligës së Kampioneve, por më pas klubi u fut në krizë të thellë, madje duke rënë në Kategorinë e Tretë angleze. Sekretari i "qeverisë" së futbollit në kontinent paralajmëroi se ky episod mund të përsëritet: "Në këtë kontekst ekonomik, përsëritja e një situate të tillë nuk mund të përjashtohet. Nuk mund të themi me siguri se ajo do të ndodhë, por për të evituar falimentime të tilla duhet të hedhim baza më të forta financiare, mbi të cilat mund të konkurrojnë klubet". Në fakt, në Angli dhe në Spanjë janë të shumta klubet që kanë borxhe të mëdha në banka. Liverpuli, që zotërohet nga amerikanët Xhorxh Xhilet dhe Tom Hiks, ndodhet në situatën më të vështirë në Premierligë: "Reds" u detyrohen institucioneve bankare rreth 420 milionë euro (350 milionë sterlina).

UEFA është shprehur vazhdimisht kundër shpenzimeve të çmendura të Realit të Madridit dhe Mançester Sitit. Ato nuk janë kursyer për të afruar lojtarët që dëshironin. Florentino Perez mori në "Santiago Bernabeu" Kakanë, Kristiano Ronaldon dhe Benzema, duke rikthyer Realin "galaktik". Në anën tjetër, falë parave të sheikut Sulaiman Al-Fahim, Siti ka realizuar pesë blerje cilësore, me të cilat synon të konkurrojnë me më të mirat në Angli dhe Europë. Sipas Tejlor, paratë e shpenzuara nga këto dy klube krijojnë një precedent të rrezikshëm. "Do të thosha se me krizën ekonomike që bota përballet në këto momente, shpenzimet e mëdha janë një fenomen i çuditshëm dhe destabilizues. Në këtë mënyrë rritet çmimi i futbollistëve, jo vetëm i yjeve, por i të gjithëve në përgjithësi. Kjo rritje evazive duhet evituar, sepse përveç klubeve angleze, dëmton edhe të gjitha klubet e tjera europiane", nënvijëzoi ai. Tejlor pohoi gjithashtu se krerët e lartë në zyrat e Nionit janë të shqetësuar për zhvillimet më të fundit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›