UEFA inspekton stadiumet shqiptare

Futbolli shqiptar është në ankth për të mësuar se ku do ti luajë ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2014, Kombëtarja e drejtuar nga Xhani De Biazi. Për të përcaktuar shtëpinë e kuqezinjve, në vendin tonë ka mbërritur inspektori i UEFA-s, belgu Zhan Fransua Kurk. Pasi vëzhgoi të mërkurën ambientet e stadiumit të Durrësit, “Niko Dovana”, ish-gjyqtari belg ka vazhduar turin e inspektimit në Korçë dhe Tiranë.
Në stadiumin “Skënderbeu”, i dërguari i federatës europiane ka bërë një inspektim të hollësishëm, duke parë jo vetëm fushën dhe tribunat, por vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe sistemit të sigurisë, si edhe ambienteve të brendshme të impiantit, duke përfshirë dhomat e skuadrave, të gjyqtarëve, mjekëve dhe kushtet higjeno-sanitare.
Më tej, inspektori është kthyer në Tiranë, ku pas mesditës i vazhdoi vëzhgimet në stadiumin “Qemal Stafa”, që vetëm pak muaj më parë ka qenë shtëpia e padiskutueshme e ekipit përfaqësues. Por, në pritje të startit të punimeve për ndërtimin e impiantit të ri, gjendja e stadiumit aktual, por mbi të gjitha e fushës nuk është nga më të mirat. Përsa i takon punimeve në sheshin në tribunën kryesore, ku do të pengohej hyrja e skuadrave në stadium, sygjerimi i inspektorit ka qenë që lojtarët të mund të futen nga tribuna E, aty ku ndodhet edhe tabala elektronike.
Si në stadiumin “Skënderbeu”, ashtu edhe në “Qemal Stafa”, inspektori i UEFA-s ka dokumentuar gjithçka me fotografi, ndërsa duket se ashtu si ka ndodhur për miqësoren me Maqedoninë, shanset më të mëdha për ndeshjet e Shqipërisë i ka impianti i Korçës. Me investimet e bërë në këtë stadium plotësohen të gjitha kërkesat, ndërsa për të evituar “emigrimin” e Kombëtares jashtë Shqipërisë, ndoshta UEFA mund të mbyllë një sy te fakti se stadiumi “Skënderbeu” ndodhet mbi 2 orë larg aeroportit “Nënë Tereza”.
Sinjalet pozitive për stadiumin e Korçës u dhanë edhe nga inspektori Kurk, që pasi i kërkoi zyrtarëve të klubit jug-lindor detaje të hollësishme për sallat e konferencave, vendin e kamerave, ambiente ku mund të improvizohen studio sportive dhe tribunën e gazetarëve, ka sygjeruar krijimin e më tepër hapësirave për mediat, për një pasqyrim sa më të mirë të ndeshjeve që do të luhen në Korçë.
Turi i vëzhgimeve të inspektorit të UEFA-s do të mbyllet të premten në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ndërsa pasi të shqyrtojë të gjithë dokumentacionin dhe raportin e Kurk, UEFA do të thotë fjalën e fundit përsa i takon stadiumeve shqiptare që plotësojnë standartet e kërkuara.