UEFA “këshillon” votat për Blaterin
Bashkësia Europiane e Federatave të Futbollit, UEFA, ka dhënë udhëzimet e saj në lidhje me votimet që do të bëhen për presidentin e FIFA-s. Zviceriani duket shumë komod, pasi 53 votat e Europës janë një bonus i vërtetë
Komiteti Ekzekutiv i Federatës Europiane të Futbollit (UEFA) ka dhënë “përkrahjen unanime” për Sep Blaterin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të FIFA-s. Madje, ky komitet ka ftuar 53 federatat anëtare që të përkrahin zvicerianin. Në kërkim të mandatit të tij të katërt si president, 75 vjeçari do të ketë kundërkandidat presidentin e Konfederatës Aziatike të Futbollit, Mohamed bin Hamam. Zgjedhjet e FIFA-s do të mbahen më 1 qershor në Zyrih, Zvicër. Mishel Platini, i cili shërbeu si ndihmësi kryesor i Blaterit para se të zgjidhet president i UEFA-s më 2007, pritet të përkrahë zviceranin, i cili u zotua se nëse rizgjidhet, do të tërhiqet më 2015. “Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka vendosur të jep përkrahjen e tij të plotë për Josef Blaterin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të FIFA-s dhe fuqishëm u rekomandon të gjitha asociacioneve anëtare të UEFA-s të bëjnë të njëjtën gjë”, thuhet në komunikatën e organizatës. President i FIFA-s nga 1998, Blater është zotuar të bëjë reforma të gjera nëse rizgjidhet, përfshirë ndryshimet në përcaktimin e pritësve për kampionatet e ardhshme botërore. Ai po ashtu ka propozuar formimin e një komiteti mbikëqyrës në punën e trupit udhëheqës të futbollit botëror, duke shtuar se ai e di se kë kërkon për ta udhëhequr atë, por pa e përmendur e tij. Sa i përket përcaktimit se ku do të zhvillohen botërorët e ardhshëm, Blater mendon që të ndryshojë mënyrën e caktimit, duke e bërë me votim mes 208 federatave anëtare të FIFA-s, një zgjidhje e ngjashme me mënyrën si Komiteti Olimpik Ndërkombëtar zgjedh pritësin e Lojërave Olimpike. UEFA është një organ i rëndësishëm brenda strukturës së FIFA-s dhe mban 53 prej 208 votave që do të vendosin presidentin e ardhshëm. FIFA ishte kritikuar për procesin e saj votues që Komiteti Ekzekutiv prej 24 anëtarëve, më pas u reduktua në 22 pasi dy anëtarë ishin pezulluar për korrupsion, i dhuroi Rusisë Kampionatin botëror 2018 dhe zgjodhi Katarin si pritës të garës 2022. FIFA kishte caktuar afat deri më 1 prill për nominimet e kandidatëve, ndërsa fituesit do t’i nevojiten dy të tretat e shumicës së votave nga raundi i parë, ose shumica në të dytin. Me total prej 208 votave, Blaterit i nevojiten 138 për të fituar në raundin e parë dhe me përkrahjen e garantuar nga Amerika e Jugut (10 vota), Oqeania (11) dhe pritjen se do të marrë shumicën e 35 votave nga Amerika Qëndrore dhe Veriore, dhe së fundmi përkrahjen e UEFA-s, Blater është favorit absolut. 61 vjeçari Bin Hamam është sfiduesi i parë i Blaterit, pas presidentit të Konfederatës Afrikane të Futbollit, Isa Hajatu, i cili u paraqit kundër tij dhe u mposht me rezultat 136-56 në zgjedhjet e vitit 2002.