“Zyber Hallulli”, tani shtëpi-familje
Shtëpia e fëmijës “Zyber Hallulli” në kryeqytet nuk do të jetë më vetëm një institucion i përkujdesjes sociale, ku do të rriten fëmijët jetimë, por një shtëpi e madhe familjare. Në prag të festave të fundvitit, Ministra e Punës ka nisur shpërndarjen e dhuratave për 700 fëmijë jetimë në të gjithë vendin. Ditën e djeshme, Ministria e Punës ka organizuar një aktivitet festiv për 40 fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli”. Gjatë aktivitetit të zhvilluar në shkollën “Ozman Myderzi, ku u shpërndanë dhurata për fëmijët jetimë, ministri i Punës, Spiro Ksera deklaroi se do të rikonstruktohen të gjitha qendrat sociale ku janë strehuar fëmijë jetimë apo familje në nevojë, në të gjithë vendin. “Ne po rikonstruktojmë shtëpinë ‘Zyber Hallulli’. Kjo e fundit po shndërrohet në një shtëpi të ngrohtë moderne me një dimension të ri europian, ‘Casa Famiglia’. Synimi i saj është integrimi i fëmijës me familjen e tij biologjike”, - theksoi Ksera. Më tej, ministri i Punës i bëri apel të gjithë shoqërisë shqiptare që në këtë atmosferë festash të hedhin një sy tek familjet dhe fëmijët në nevojë. Kushtet e vështira ekonomike kanë bërë që 70% e fëmijëve në jetimore të rriten nga shteti, megjithëse i njohin prindërit.