E Shtunë, 31 Tetor 2026

UET, krijohen bordet e tregut të punës

TIRANE - Përshtatje e programe- ve të studimit, sipas kërkesave të tregut të punës dhe mundësi të reja për të sapodiplomuarit në punësim dhe profilizime të studentëve. Universiteti Europian i Tiranës krijon bordet e punës me përfaqësuesit e lartë të institucioneve, firmave private, kompanive publike e private, media, sipërmjarrje. Një student me diplomë të përgjithshme nuk i përgjigjet më kërkesave të tregut. Tregu sot kërkon profesionistë të profilizuar. Pikërisht për këtë qëllim Universiteti Europian i Tiranës në bashkëpunim me përfaqësues të lartë institucionesh, firmash private, kompani publike e private, media, sipërmjarrje, etj, ka krijuar Bordet e Tregut të Punës.
Kryetari i dhomës së Tregtisë Tiranë, Nikolin Jaka, deputetja Vasilika Hysi, dekani i shkencave sociale në UT Theodhori Karaj, Kryetarja e KKRT Endira Bushati, Drejtoresha e shkollës së Magjistratuës Marjana Semini, administratori i Konfindustria, Gjergj Buxhuku janë disa prej emrave të anëtarëve të Bordeve të Punës në UET, të cilët do të marrin pjesë aktive në konsultimin e programeve studimore dhe propozimeve konkrete dhe praktike në përshtatjen e tyre me tregun e punës, si edhe në proceset e praktikave, stazheve apo edhe për cilësinë dhe mundësitë e punësimit të të diplomuarve nga UET. Drejtori i shkollës doktorale në UET, Adrian Civici tha se ky bashkëpunim është shumë i ngushtë dhe pritet të jetë frytdhënës me rezultate konkrete. “Universitetet nuk janë më vetëm qendra akademike, por qendra ku studenti merr një profesion dhe jo vetëm një profesion që gjen në treg, por me njohuritë që ka, një profesion që e krijon me përvojën e tij. Do të donim ta shtrinim edhe më gjerë bashkëpunimin, duke paraqitur programet dhe kurrikulat tona, ose strukturat e diplomave dhe të merrnim mendime çfarë vlen dhe jo”. Duke i përmirësuar sipas asaj çka kërkohet, shtoi ai, dhe me strategjitë e zhvillimet të bizneseve , unviersiteti të ndjekë të njëjtin ritëm dhe frymë në përgatitjen e studentëve.
Duke e përkthyer me terma ekonomikë z.Civici përfundoi se ky bashkëpunim shërben për një qëllim final ku unviersiteti të prodhojë një produkt cilësor dhe tregu i punës të konsumojë një produkt po kaq cilësor.
Ndërsa kryetari i dhomës së tregtisë dhe industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, i cili është edhe anëtar i bordeve të punës në UET, u shpreh se bashkëpunime dhe nisma të këtij lloji bëjnë të mundur koordinimin e saktë të kërkesës dhe ofertës.
“Po t’i hedhim një vështrim tregut të punës, sipërmarrja private në Shqipëri zë rreth 85% të forcës së punës, ndaj është shumë e rëndësishme që të gjithë aktorët e shoqërisë të organizohen në mënyrë që të kemi një koordinim dhe rezultat pozitiv të kërkesë-ofertës”. Sipërmarrja sot është gjithnjë e më shumë në kërkim të burime njerëzore të kualifikuara, vijoi z.Jaka pasi ky është edhe një kusht i rëndësishëm për suksesin dhe produktin e saj në zhvillimet e ekonomiosë individuale por edhe shoqërisë në përgjithësi.
Gjatë prezantimit ai foli edhe për marrëveshjen që dhoma e tregtisë ka nënshkruar me Bashkinë e Tiranës, për krijimin e një qendre koordinimi punësimit dhe kartës së studentit. Me anë të kësaj karte studentët priten të përfitojnë ulje nga 20-30 përqind nga sipërmarrësit të cilët ofrojnë shërbime dhe produkte. Administratori i Universitetit Europian të Tiranës, Henri Çili u ndal në problematikën që haset shpesh sot me të diplomuarit dhe vështirësitë e tyrë në punësim. Kjo ishte edhe shtysa që bëri që Unviersiteti Europian i Tiranës të lidhte këtë bashkëpunmim të ngushtë me tregun e punës, duke krijuar borde të veçanta për secilin program studimi që ofron. Universiteti Europian i Tiranës ka tetë departamente dhe në çdo departament do të atashohet një bord pune me specialistë të fushës përkatëse i përbërë prej gjashtë anëtarësh. “Sfidat e edukimit sot janë që pedagogë të përgatitur në të kaluarën përgatitin sot studentë që do i përdorin njohuritë e tyre në të ardhmen si ta zgjidhim këtë paradoks. Për të kapërcyer këto sfida është ky mekanizëm dhe bashkëpunmim midis tregut të punës dhe universitetit”.
Ky takim i bordeve të punës përkon edhe me Panairin e Punës që Unviersiteti Europian i Tiranës organizon çdo vit për studentët e tij, ku marrin pjesë rreth 42 subjkete të rëndësishme në vend. Anëtarët e bordeve të punës e përgëzuan nismën si një hap i parë i mirë drejt prakticitetit. Hysen Çela, Drejtor Ekzekutiv i IEKA u shpreh se ky bashkëpunim është i domosdoshëm pasi produkti që del nga universitetet i shkon tregut të punës. “Nëse ky produkt nuk do i vlejë këtij tregu atëherë do të ketë kosto plus për të prodhuar një prdukt të ri dhe dihet se ç’do të thotë ta ribësh nga e para”, përfundoi ai. Këto borde do të mblidhen dy herë në vit për të diskutuar jo vetëm reth kurrikulave dhe programeve, por edhe për praktikat profesionale që studentët kryejnë. Ky bashkëpunim i ngushtë mes aktorëve të tregut të punës dhe atyre nga bota akademike ësthë një hap konkret në adoptimin e programeve të përshtatshem dhe të mirëorientuara drejt tregut të punës.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›