E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

UKRAINË – Kievi: Rusët u përpoqën të sulmonin Kurskun përmes gazsjellësit

KIEV, 9 mars /ATSH-DPA/- Ushtria ruse u përpoq të rimarrë qytetin e kontrolluar nga ukrainasit , Sudzha në rajonin perëndimor të Kurskut të Rusisë duke dërguar ushtarë përmes një gazsjellësi, thanë sot autoritetet ushtarake të Ukrainës.

Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës tha dje se forcat ruse ishin “zbuluar në kohë” nga një ekip zbulimi ajror dhe ishin zmbrapsur me raketa, artileri dhe drone.

Pretendimi i Kievit nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur. Blogjet ushtarake ruse raportuan më herët tentativën e sulmit rus në Sudzha.

Gazsjellësi i përdorur – thuhet se ishte pjesë e një sistemi që furnizonte Evropën me gaz rus deri në fillim të këtij viti. Diametri i tubave është 1,4 metra.

Ukraina ka tre vjet që mbrohet kundër pushtimit të gjithanshëm të Rusisë. Verën e kaluar, forcat ukrainase kapën pjesë të rajonit të Kurskut në një kundërsulm të befasishëm.

Në muajt e fundit, megjithatë, luftimet e ashpra i kanë shtyrë ata prapa këtij rajoni.

Trupat ukrainase në rajon thuhet se po përballen me vështirësi të mëtejshme, ndoshta për shkak të ndalimit të shkëmbimit të informacioneve të shërbimeve ushtarake nga SHBA-ja, duke përfshirë imazhet satelitore.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka quajtur ofensivën e Kurskut një mjet të rëndësishëm pazaresh në negociatat e mundshme me Moskën.

Forcat ruse vazhdojnë të pushtojnë afërsisht një të pestën e territorit të Ukrainës. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›