E Martë, 3 Nëntor 2026

UKRAINË – Mbi 30 të vrarë pas sulmit ajror rus në Sumy

KIEV, 13 prill /ATSH/- Më shumë se 30 persona u vranë sot gjatë një sulmi me raketa ruse në qytetin ukrainas, Sumy, thanë zyrtarët, sipas AP.

Dy raketa balistike goditën zemrën e qytetit rreth orës 10:15 të mëngjesit ndërsa njerëzit u mblodhën për të festuar të Dielën e Palmës.

“Në këtë të dielë të ndritshme të Palmave, komuniteti ynë ka pësuar një tragjedi të tmerrshme”, tha në një deklaratë në media sociale, kryebashkiaku në detyrë Artem Kobzar.

“Të paktën 32 persona u vranë si rezultat i sulmit”, tha Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, duke cituar rezultatet fillestare të hetimit.

“Të paktën 84 persona të tjerë u plagosën, duke përfshirë 10 fëmijë”, shkroi në rrjete sociale, ministri i Punëve të Brendshme, Ihor Klymenko.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky konfirmoi se përpjekjet e ekipeve të shpëtimit ishin në vazhdim dhe se “dhjetra” persona ishin vrarë në sulmin e dyfishtë me raketa.

“Sipas informacioneve paraprake, dhjetëra civilë u vranë dhe u plagosën”, tha ai.

Zelensky, gjithashtu bëri thirrje për një përgjigje globale ndaj sulmit.

“Bisedimet nuk i kanë ndalur kurrë raketat balistike dhe bombat ajrore. Ajo që nevojitet është një qëndrim ndaj Rusisë – ashtu siç e meriton një terrorist”, tha ai.

Sulmi vjen më pak se një ditëpasi diplomatët më të lartë të Rusisë dhe Ukrainës akuzuan njëri-tjetrin për shkeljen e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja – për të ndalur sulmet në infrastrukturën energjetike, duke nënvizuar sfidat e negocimit për t’i dhënë fund luftës 3-vjeçare. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›