UKRAINË – Trupat ukrainase nën presion ndërsa forcat ruse avancojnë në Pokrovsk

KIEV, 29 tetor /ATSH-DPA/- Trupat ukrainase që mbrojnë qytetin lindor të Pokrovskut po e gjejnë veten në rrethana gjithnjë e më të vështira, thanë sot analistët ushtarakë.
Blogerët ushtarakë si ukrainas ashtu edhe rusë, të cilët ofrojnë burime kryesore të informacionit në fushëbetejë, raportuan se një numër në rritje i ushtarëve rusë po avanconin në qendër të qytetit nga jugu.
Sipas blogut “DeepState” të lidhur me ushtrinë ukrainase, forcat ruse janë angazhuar në luftime rrugore me trupat ukrainase dhe po synojnë rrugët e tyre të furnizimit me dronë dhe mortaja.
“Avancimi i trupave ruse po e bën pothuajse të pamundur për forcat ukrainase të mbajnë një kryeurë lindore pranë qytetit të afërt të Myrnohradit”, sipas raportimeve.
Korpusi i 7-të i Ushtrisë së vendit tha se rreth 11 000 trupa ruse po përpiqen të rrethojnë forcat mbrojtëse ukrainase në zonën e Pokrovskut.
Ushtria e Rusisë ka avancuar shumë pak përgjatë frontit lindor që nga vjeshta e vitit 2023, duke pësuar humbje të mëdha në këmbim të avancimeve të kufizuara territoriale.
Afërsisht një e pesta e Ukrainës mbetet nën pushtimin rus, përfshirë Gadishullin e Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në vitin 2014.
Marrja e kontrollit të Pokrovskut do të ishte një arritje e rëndësishme për Moskën dhe do të dobësonte linjat e furnizimit të forcave ukrainase në frontin lindor.
Megjithatë, ritmi i avancimit të Moskës ka qenë i ngadaltë.
Forcat ruse, deri më tani kanë pushtuar vetëm rreth 0,6% të territorit të përgjithshëm të Ukrainës këtë vit, sipas vlerësimeve të Institutit për Studimin e Luftës me qendër në SHBA. //a.i/