UNDP: Ndarjet etnike, të theksuara në Mitrovicë

Situata e zymtë ekonomike, papunësia dhe varfëria janë të vazhdueshme dhe kanë ndikim në proceset politike dhe ndërtimin e paqes në Mitrovicë. Ky rezultat është bërë publik në studimin e fundit të publikuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë. Raporti flet për mungesën e komunikimit dhe ndarjet etnike që vazhdojnë të mbizotërojnë marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve e serbëve në të dy anët e lumit Ibër.
“ Studimi i opinionit publik në Mitrovicë”, i zhvilluar me njëmijë të anketuar në të dy anët e lumit Ibër, në këtë qytet, tregon se të dy sondazhet e opinionit publik të bëra në korrik dhe nëntor të vitit 2010 në Mitrovicë, flasin për një linjë ndarëse etnike në disa çështje.
Menaxhuesi lokal i projektit të UNDP-së, Boban Simic, tha se komunikimi ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve vazhdon të mbetet i ulët. Ndërkaq, përfaqësuesi i UNDP-së, Sanaka Samarasinha, deklaroi se është ende herët të jepet ndonjë vlerësim, pasi studimet e bëra bazohen vetëm mbi perceptimet e qytetarëve.
Elemente të tjera, që përmenden në studimin e UNDP-së për Mitrovicën, janë problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët, opinioni mbi decentralizimin, shprehitë e mediave, siguria dhe perceptimet mbi kushtet ekonomike. Dokumenti tregon se përparimi drejt ngritjes politike e ekonomike të Mitrovicës është i ngadaltë dhe se “situata e zymtë ekonomike, papunësia dhe varfëria e vazhdueshme, kanë ndikim në proceset politike dhe ndërtimin e paqes”.