UNESCO: Lufta Rusi-Ukrainë ka shkatërruar 274 site kulturore

Të paktën 274 vende të trashëgimisë kulturore në Ukrainë janë shkatërruar si pasojë e luftës me Rusinë.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) ka bërë të ditur se nga 26 korriku, të paktën 274 objekte kulturore janë dëmtuar gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Kjo përfshin 117 objekte fetare, 27 muze, 98 ndërtesa me interes historik dhe/ose artistik, 19 monumente, 12 biblioteka dhe një arkiv”, tha Organizata në një deklaratë.
“UNESCO po kryen një vlerësim paraprak të dëmit për pronat kulturore duke kontrolluar incidentet e raportuara. UNESCO po zhvillon gjithashtu, me organizatat e saj partnere, një mekanizëm për vlerësimin e pavarur të koordinuar të të dhënave në Ukrainë, duke përfshirë analizën e imazheve satelitore, në përputhje me dispozitat e Konventës së Hagës të vitit 1954 për mbrojtjen e pronës kulturore në rast konflikti të armatosur”, thuhet në njoftimin e UNESCO-s.
/rtsh.al/