E Diel, 1 Nëntor 2026

Një foto nga Shkodra merr çmim të parë në Sarajevë

Një foto artistike e Urës së Mesit në Rrethin e Shkodrës, e realizuar nga 13-vjeçari shkodran Iris Trashani, është shpallur fituese e çmimit të parë në Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë, organizuar në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës. Në këtë konkurs kanë marrë pjesë 27 fotografë nga shtete të ndryshme. Trashani është paraqitur në konkurrim me foton e Urës së Mesit, një prej veprave monumentale të kulturës, që ndodhet në Komunën e Postribës së Rrethit Shkodër. Kompania e Këshillit Regjinal të këtij konkursi, me qendër në Sarajevë, e ka konsideruar fotografinë e 13-vjeçarit si një element që flet qartë për vlerat kulturore të Shqipërisë. Fitimi i këtij çmimi për shkodranin e vogël është shoqëruar edhe me një shpërblim financiar prej 5 mijë eurosh. Në përshëndetjen zyrtare që presidenti i Kompanisë së Këshillit Regjional të këtij konkursi, Hido Bisheviç, bëri për pjesëmarrësit, vlerësoi profesionalizmin e fotografit shkodran, duke i uruar shumë suksese në të ardhme. Fotografi i ri, Trashani, pasues i një familjeje me tradita në fushën e fotografisë, ndihej shumë i emocionuar për çmimin dhe u shpreh se fotografia ishte pasioni i tij, nga i cili nuk do të donte të ndahej kurrë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›