E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNESCO “feston” gjuhën perse në Tiranë



Trashëgimia kulturore perse zbardhet në Tiranë në kuadër të vitit ndërkombëtar të gjuhëve të shpallur nga UNESKO-ja. 30 studiues nga rajoni dhe bota kanë organizuar dje një konference shkencore ndërkombëtare, të titulluar “Trashëgimia kulturore perse në Ballkan”, në bashkëpunim me fondacionin kulturor "Saadi Shirazi", Organizatën Botërore të Kulturës (UNESCO) si dhe Arkivin Qendror të Shtetit shqiptar. Konferenca është çelur dje nga drejtori i fondacionit kulturor “Saadi Shirazi” dr. Shahrouz Falahatpisheh, i cili ka vlerësuar rëndësinë e lidhjeve të hershme kulturore të Persisë (Irani i sotëm) me Ballkanin, si një bazë shumë e mirë për bashkëpunim dhe mirëkuptim. Sipas tij, persishtja dhe shqipja janë dy gjuhë bazë të pemës botërore të gjuhëve, ndërkohë që zënë themelet e gjuhëve indoevropiane. Përfaqësues të elitës kulturore shqiptare si Naim Frashëri, Fan Noli, Vexhi Buharja e të tjerë kanë marrë prej kulturës perse, duke e përcjellë edhe në shqip. Ndërkohë që personalitete të tjera kanë mbajtur referatet e tyre lidhur me këtë temë, si akademiku Jorgo Bulo (Tiranë) me temë “Prej folklorit në letërsi”, një vështrim në një histori të letërsisë perse për të huajt; prof. Nasho Jorgaqi (Tiranë) me kumtesën “Përkthime të panjohura të rubairave të Khajamit nga S. Maleshova”; M.A. Monika Stafa (Tiranë) me kumtesën “Paralele mendësish në eposin pers dhe në eposin shqiptar”; “Arkaizma të persishtes në poezitë “Tehajjylat” të Naimit”, është një tjetër referat i mbajtur nga M.A. Abdullah Rexhepi (Preshevë); M.A. Luminita Spanu (Bukuresht), kishte përgatitur kumtesën me temë “Eminesku dhe ndikimi i letërsisë perse”; poeti Xhevahir Spahiu (Tiranë) me temën ”Liria dhe dashuria - kryetemë e poezisë së madhe perse”. Ndërsa nga Teherani kanë paraqitur kumtesa Mahmood Nasr Isfahani me titull “Gjuha dhe letërsia perse në Bosnjë dhe Hercegovinë”, dhe Dr. Shahrouz Falahatpisheh një referat të titulluar “Jam iranian dhe flas persisht” etj. Gjatë seminarit referate për trashëgiminë kulturore perse kanë mbajtur edhe studiues të tjerë si M.A. Lili Sula, Tiranë, dr. Sulejman Dashi (Tiranë), prof. dr. Klara Kodra (Tiranë), dr. Jusuf Shpuza (Shkodër), dr. Gentiana Abazi (Tiranë), dr. Natasha Rusha (Tiranë), . Fotaq Andrea (Strasburg), prof. dr. Shaban Sinani (Tiranë) etj. Gjatë këtij seminari rajonal është analizuar dhe evidentuar trashëgimia kulturore perso-iraniane nga e kaluara deri në të tashmen. Ky seminar ishte një rast mjaft i mirë për të pasqyruar praninë e gjuhës dhe letërsisë, qytetërimit e kulturës perse në përgjithësi në rajonin e Ballkanit. Kjo konferencë është organizuar në bashkëpunim me subjekte akademike, kulturore e ndërkombëtare të atashuara në Tiranë, si dhe studiues të huaj të cilët kanë trajtuar aspekte të larmishme të këtij argumenti. Në kuadër të këtij seminari ndërkombëtar është çelur po ashtu edhe një ekspozitë me dhjetëra dorëshkrime në gjuhën perse të cilat ndodhen në Arkivin Qendror Shtetëror të Shqipërisë, si edhe punime artizanale iraniane, botime letrare të fondacionit kulturor "Saadi Shirazi" në Shqipëri etj. Gjithashtu, në këtë seminar janë promovuar edhe dy libra të rinj botuar nga ky fondacion, të cilët titullohen "Historia e letërsisë perse" dhe libri i dytë "Fjalë të urta perse".

S. Furriku

Dhe “Azem Shkreli” shkoi te Podrimja dhe Krasniqi

Diana Bunjaku

Shpërblimet vjetore të letërsisë në Kosovë me emrin “Azem Shkreli” janë ndarë një ditë më parë, duke vlerësuar poetin Ali Podrimja dhe Nysret Krasniqin.

Këto çmime i ndau ministri i Kulturës, Valton Beqiri, i cili mes tjerash tha se këto dy çmime janë shumë të rëndësishme për kulturën kombëtare.

“Për laureimin e dy fituesve tanë, Podrimës dhe Krasniqit, jo rastësisht kemi zgjedhur ditën e 10 shkurtit, pikërisht ditëlindjen e të ndjerit, shkrimtarit tonë të madh Azem Shkreli”, - tha Beqiri.

Ndërsa kryetari i jurisë, Jusuf Buxhovi, për ndarjen e këtyre dy çmimeve tha se vepra letrare e poetit Podrimja është zë i veçantë dhe origjinal në poezinë shqipe, duke filluar që nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar e deri në fillim të mileniumit të ri.

Sipas tij, pas Kadaresë, poeti Podrimja është shkrimtari shqiptar më i përkthyer në gjuhët e botës.

“Ky çmim është një mirënjohje e vogël për krijimtarinë e bujshme e të jashtëzakonshme të Podrimjes”.

Buxhovi po ashtu shtoi se Ali Podrimja si një poet me një talent të rrallë dhe të jashtëzakonshëm luan një rol shumë të rëndësishëm në letërsinë tonë, dukë i dhënë kështu krah poezisë shqiptare.

Duke folur edhe më tej për vlerat e librit “Udha kratilike” të Nysret Karsniqit, kryetari i jurisë Buxhovi tha se nëpërmes interpretimit të veprës së Mitrush Kutelit, Krasniqi ka shënuar një risi dhe një model të ri të interpretimit të letërsisë, që sipas tij, mund të bëhet i nevojshëm edhe për tekstet e tjera letrare.

“Udha kratilike” e Krasniqit është studim që përmbledh problemet filozofike e teorike që nga koha e antikiteti e deri në ditët tona”, - tha Buxhovi.

Ai po ashtu shtoi se me këtë vendim të marrë tek juria ka ndikuar dëshira për të nxitur edhe më tej krijuesit e rinj, brezat e rinj, sidomos studiuesit e letërsisë, të cilët gjithmonë janë të paktë.

“Tani nuk është koha të cek shpërblime vendore dhe ndërkombëtare, por shpërblimi i “Azem Shkrelit” me të vërtetë është një shpërblim shumë i rëndësishëm dhe i veçantë për mua”, - tha mes tjerash Podrimja, duke shtuar se poeti Shkreli për të nuk ishte vetëm poeti më i mirë, por edhe miku më i afërt i tij.

“Sa herë që rrugëtoja me të nëpër Evropë dhe kudo që shkonim bashkë, ngrinim zërin vazhdimisht për çështjen e Kosovës, sepse ne nuk ishim vetëm poetë që e donim poezinë, por kishim përkrahje edhe nga atë që e bënë luftën, që luftuan dhe ranë për këtë vend”, - tha Podrimja me rastin e ndarjes së çmimeve “Azem Shkreli”.

Ndërsa Nysret Krasniqi në fjalën e tij tha se çmimi “Azem Shkreli” jo vetëm që i bën një nder të madh, por i jep edhe një motiv shtytës që të vazhdojë edhe më tej që të kurorëzojë suksese edhe në të ardhmen.

“Më lejoni të shpreh vetëm një dëshirë me rastin e marrjes së çmimit “Azem Shkreli”. Nëse e hetoni vlerën dhe suksesin e mikut tuaj, mos ngurroni kurrë t’ia thoni, por vlerësojeni atë, sidomos nëse kemi të bëjmë me brezat e studiuesve të rinj, të cilëve u nevojitet patjetër një mbështetje e madhe dhe një përkrahje morale në të gjitha aspektet”, - tha Krasniqi.

Këto çmime u ndanë nga juria profesioniste e përbërë nga Jusuf Buxhovi (kryetar), Avdi Visoka (anëtar) dhe Arif Demolli (anëtar). Poeti Ali Podrimja i cili ishte i nominuar për këtë çmim nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës nuk kishte pasur kundër kandidat për çmimin tjetër. Për librin më të mirë të botuar brenda vitit, “Udha kratilike” e Nysret Krasniqit kishin pasur konkurrencë këta libra: “Dëshmi letrare” (Ali Aliu), “Një gomar për parlament” (Rushit Ramabaja), “Ku shkojnë ardhjet” (Jeton Kelmendi), “Ujëvarat e metaforave” (Ndue Ukaj) dhe “Kambanë zemërimi” nga (Sali Bashota).

Ndërsa fituesit e deritanishëm të këtyre çmimeve janë: Din Mehmeti e Mehmet Kraja, (2004), Ibrahim Rugova e Jusuf Buxhovi (2005), Mark Krasniqi e Kujtim Shala (2006) dhe Enver Gjerqeku e Agim Deva (2007). Kurse çmimi për veprën jetësore kap shumën prej 5000 eurosh, kurse ai për veprën më të mirë të botuar brenda vitit prek shifrën prej 3000 eurosh.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›