E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia e kristalizuar



Kosova e pavarur po shënon përvjetorin e parë të ekzistencës së vet si shtet. Ai që ishte për kohë të gjatë synim u bë realitet më 17 shkurt 2008. Dëshirimet asocionohen me ngrohtësinë. Fizikisht, 17 shkurti i pavarësisë së Republikës së Kosovës ishte i acartë, nga ditët më të ftohta të dimrit të Kosovës, nëse jo më e ftohta. Në shpirtin e popullit të Kosovës, në gjirin e kombit shqiptar përgjithësisht, ka pasur atë ditë ngrohtësi solemne, madhështore. Përvjetorët rindezin kujtimet për dëshirat, për gëzimet e për hidhërimet. Pavarësia e Kosovës është kristalizuar si ide, është synuar politikisht dhe institucionalisht, me sistem e disiplinë nga aksioni politik i dr. Ibrahim Rugovës dhe i Republikës së parë të Kosovës, i asaj që është njohur si shtet paralel gjatë viteve 1990. Prandaj, Rugova quhet prej shumëkujt Presidenti historik, kurse ndonjëherë edhe babai i kombit (i shtetit të Kosovës) në kuptimin politik, jo etnik, të termit. Kjo ide politike pastaj është pranuar prej të gjithëve në Kosovë në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, madje edhe prej atyre që mund të kenë pasur mospëlqimet me rrugën e ndjekur prej tij drejt realizimit të këtij synimi madhor. Shkrimtari dhe luftëtari, ta themi Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari, tashti, në fund, teleologjikisht, bëhen çlirimtarë të vendit tonë të dashur, Kosovës, por edhe krijues të Republikës, ndonëse nuk e pritën ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ata janë heronj tokësorë e historikë, jo legjendarë e mitikë, të Kosovës. Pavarësia, fillimisht si ide, pastaj synim, pastaj luftë për realizim të këtij synimi, më tej, në fund, realizim të shtetësisë së pavarur. Në këtë rrugë realizimi marrin pjesë të gjithë, shkrimtari e luftëtari, ideatori e realizuesi. Pavarësia e Kosovës ka realizues të panumërt, heronj të kënduar e të pakënduar, prej atyre që kanë shkuar në amshim deri te të gjallët, që sot bëjnë punët e ditës, të profesionit apo të shtetit. Pavarësia sot duket e natyrshme, e vetëkuptueshme, si koncept e si realitet. Nuk ka qenë kështu para 20 vjetësh, më 1989 e 1990. Deri atëherë, kishte dy ide dominuese, dy variante veprimi shqiptar për përparim të statusit të Kosovës dhe të shqiptarëve në ish-Jugosllavi: Kosovën si Republikë në kuadër të federatës ish-jugosllave apo bashkimin me Shqipërinë. Varianti i tretë i Kosovës, shtet më vete, në një kombinim ideje e rrethanash, por edhe lufte politike e të armatosur, u bë zgjidhja vetë, e njohur dhe e pranuar nga populli i Kosovës, e përqafuar nga bota demokratike, prandaj, e natyrshme dhe e vetëkuptueshme. Ku jemi sot? Republika e Kosovës sot funksionon si shtet demokratik, me President, me qeveri, e Parlament; me ekonomi të vetën, që përballet me vështirësitë e ringjalljes e të hapjes kah bota; me burime natyrore e njerëzore; me potenciale që duan funksionalizuar plotësisht. Kosova është njohur si shtet i pavarur nga 54 shtete të botës deri në fund të janarit të vitit 2009. 7 nga 8 vendet e zhvilluara (G 8) kanë njohur Kosovën. 22 prej 27 vendeve të Bashkimit Evropian kanë njohur Republikën tonë; po ashtu, edhe shumica e vendeve anëtare të NATO-s. Synimi ynë kryesor në rrafsh ndërkombëtar është integrimi në strukturat euroatlantike. Së shpejti Kosova do të jetë anëtare e institucioneve kyçe financiare në botë: e Bankës Botërore dhe e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Kosova ka sjellë rehati në shpirtrat e shumicës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës; jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të pakicave. Një pjesë e shpirtrave të trazuar, kryesisht serbë, do të binden më në fund se realiteti i Kosovës së pavarur nuk u jep fund ëndrrave të tyre për jetë të dinjitetshme njerëzore e kombëtare. Republika e Kosovës ka sot një segment të atributeve të shtetësisë së vet edhe këtu, në Mbretërinë e Bashkuar. Në Londër, ku ka me dhjetëra mijëra kosovarë, të cilët në mënyrën e vet i kanë kontribuar kësaj shtetësie, ne kemi ambasadën tonë. Unë, që kam pasur fatin të jem në krye të saj, i zgjedhur në këtë detyrë prej autoriteteve më të larta të Republikës, ndihem krenar e i përgjegjshëm për barrën e historisë dhe të aktualitetit.

*I Ngarkuar me Punë a.i. në ambasadën e Republikës së Kosovës në Londër

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›