PD, Alimani rizgjidhet kryetar i Delvinës
Demokratët e Delvinës votuan dje Dhurim Alimanin si kryetar të ri degës së Delvinës. Alimani fitoi me rreth 75 për qind të votave, kundrejt kandidatit Fatos Dauti. Procesi i votimit u zhvillua në përfundim të punimeve të Kuvendit të 9-të të PD-së në Delvinë, ku ishte i pranishëm dhe deputeti i PD-së, Astrit Patozi, njëkohësisht kryetar i grupit parlamentar të kësaj partie. Z. Patozi shprehu sigurinë e marrjes së një mandati të dytë qeverisës në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Ai e cilësoi procesin zgjedhor, në të cilin janë përfshirë degët e PD-së në të gjithë vendin, si transparent, serioz e të përgjegjshëm dhe që zhvillohet në klimën e debatit civil e konstruktiv. Sipas Patozit: "Këto zgjedhje brenda PD-së kanë pasur një risi shumë të veçantë, me një dyndje të anëtarësimeve të reja në PD dhe kjo nuk është rastësi, por tregues i qartë i asaj që ne jemi shumica dhe ne do ta meritojmë sërish fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit". Deputeti Patozi cilësoi se PD-ja është e pakrahasueshme në të gjitha dimensionet, më e fortë dhe më e organizuar. "Ne do të fitojmë më 28 qershor, sepse ne po ndryshojmë Shqipërinë, po punojmë, po ndërtojmë. Ne kemi ndryshuar Sarandën, Delvinën, Vlorën, gjithë Shqipërinë", - theksoi z. Patozi.