E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do të ndryshojë qeveria?

Ditët e ndryshimeve në qeveri mund të jenë më të afërta nga sa mendohet. Këto ndryshime janë kërkuar edhe nga vetë deputetët e PD-së dhe nga aleatët pavarësisht se kryeministri po mundohet ta qetësojë situatën duke thënë se kjo qeveri ka punuar në mënyrë të shkëlqyer. Janë një sërë faktorësh që ndikojnë që këto ndryshimet të bëhen në këto kohë, si reformat e vëna si kusht pas marrjes së ftesës së anëtarësimit në NATO, reformat që duhet të bëhen pas ngjarjes së Gërdecit, si dhe përgatitja e mazhorancës me një imazh të ri për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas burimeve nga mazhoranca, ndryshimet janë të nevojshme, të dobishme dhe ekzistojnë disa skenarë të këtyre ndryshimeve dhe kushtet në të cilat mund të bëhen ato. Një ndër pjesët e skenarit më të mundshëm është ndryshimi i ministrave aleatë, vendim që do të sillte edhe një përfaqësim më të madh të Partisë Demokratike në qeveri, si dhe do të kënaqte pjesën e të pakënaqurve në këtë parti. Në spektrin e djathtë politik emrat më të përfolur për t’u përfshirë në kabinetin qeveritar janë ai i Astrit Patozit, Aleksandër Biberajt, Edi Palokës dhe Sali Shehut, si disa nga figurat potenciale parlamentare të tjera të PD-së. Ndërsa akoma mbeten mister emrat e tjerë që mund të vijnë nga jashtë Parlamentit. Një lëvizje e mundshme e kryeministrit Berisha mund të jetë edhe ftesa për bashkim me qeverinë për presidentit e Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, një emër ky i përfolur disa herë për t’u bërë pjesë e kabinetit qeveritar, sidomos tashmë që ai ka një distancim nga koalicioni i majtë. Megjithatë, gjithçka mbetet akoma në kuadrin e zërave, por që nuk paraqesin një përcaktim të saktë të asaj që do të ndodhë me ndryshimet në qeveri.Më poshtë janë disa nga skenarët e mundshëm dhe emrat e përfolur për ndryshimet qeveritare, por vendimi dhe ministrat të cilët që do të ndryshohen mbeten gjithnjë ekskluzivitet i kryeministrit Sali Berisha, i cili në të shumtën e rasteve është treguar i paparashikueshëm në ndryshimet e tij.


Qeveria aktuale/Profili i ministrave dhe ndryshimet e mundshme
1-Lulëzim Basha - Ministër i Jashtëm, deputet i Partisë Demokratike, është një ndër të përzgjedhurit e kryeministrit Berisha, i njohur ndryshe edhe si beniamini i tij. Nuk ka zëra se ai mund të bëhet pjesë e ndryshimeve qeveritare, megjithatë për të bërë promovimin e tij politik, Berisha mundet ta bëjë atë zëvendëskryeministër.

2-Bujar Nishani - Ministër i Brendshëm, deputet i Partisë Demokratike, i ardhur në këtë ministri pas dorëheqjes së Sokol Olldashit, i cili do të kandidonte për Bashkinë e Tiranës. Nëse kjo ministri bëhet pjesë e ndryshimeve, kandidat i mundshëm për këtë post mund të jetë Astrit Patozi, aktualisht kryetar i grupit parlamentar të PD-së ose deputeti tjetër i PD-së, Sali Shehu, i cili mban edhe gradën “Kolonel”. 

3-Gazmend Oketa - Ministër i Mbrojtjes, deputet i PD-së, i sapoemëruar pas dorëheqjes së Fatmir Mediut. Nuk pritet që të bëhet ndryshim në këtë dikaster, pasi ai ka pak kohë që është emëruar në këtë post.

4-Majlinda Bregu - Ministre e Integrimit, deputete e PD-së, zëdhënëse e qeverisë, zërat thonë se ajo nuk mund të bëhet pjesë e ndryshimeve.  Megjithatë, nëse bëhen ndryshime në këtë dikaster qeveritar, kandidati i mundshëm mund të jetë Aleksandër Biberaj, aktualisht deputet i PD-së dhe zëvendëspresident i Asamblesë Kombëtare të Këshillit të Evropës. 

5-Ridvan Bode - Ministër i Financave, deputet i PD-së, një nga ministrat më të vjetër në qeverinë “Berisha”. Që me ardhjen në pushtet të PD-së, ai nuk është bërë pjesë e ndryshimeve të qeverisë dhe, edhe këtë radhë, nuk pritet që ai të bëhet pjesë e tyre. Bën pjesë në grupin e të vjetërve në Partinë Demokratike.

6-Genc Ruli - Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, deputet i PD-së, një nga ministrat që nuk është bërë akoma pjesë e ndryshimeve qeveritare. Qëndron në këtë post që me krijimin e qeverisë “Berisha” në vitin 2005. Edhe pse është kërkuar disa herë dorëheqja e tij, ai sërish nuk pritet të bëhet pjesë e ndryshimeve. Megjithatë, kryeministri Berisha mund të bëjë ndonjë surprizë. Ai është një nga themeluesit e parë të PD-së, i larguar prej saj për disa kohë dhe i rikthyer fitimtar në zgjedhjet e 2005-ës.

7-Enkelejd Alibeaj - Ministër i Drejtësisë, ish-këshilltar i kryeministrit Berisha, ka pak kohë që është emëruar në këtë post. Emërimi i tij u bë pas dorëheqjes së Ilir Rusmalit. Nuk pritet që të bëhet pjesë e ndryshimeve qeveritare, ndoshta edhe për vetë kohën që ka kaluar në drejtimin e kësaj ministrie.

8-Sokol Olldashi - Ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ish-deputet i PD-së, la mandatin e deputetit dhe të ministrit të Brendshëm për të kandiduar përballë Edi Ramës për bashkinë e kryeqytetit. Pas garës së humbur, kryeministri Berisha e riktheu në kabinet si ministër të Punëve Publike,Transporti dhe Telekomunikacionit. Nuk pritet që ai të bëhet pjesë e ndryshimeve qeveritare.

9-Genc Pollo - Ministër i Arsimit dhe Shkencës, kryetar dhe deputet i PDR-së, aleat i hershëm i kryeministrit Berisha. Është folur disa herë për largimin e tij, por akoma ai nuk është bërë pjesë e ndryshimeve qeveritare. Është një nga ministrat që është në qeveri që nga krijimi i qeverisë “Berisha” në vitin 2005. Ndryshimi i tij mund të sillte “braktisjen” në mes të Maturës Shtetërore dhe lëvizjet në këtë dikaster mund të sillnin probleme me menaxhimin e procesit arsimor për shkollat e larta.

10-Kosta Barka - Ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, përfaqësues i PBDNJ-së në qeveri. Pritet që ky ministër të largohet, dhe një ndër motivet është edhe reforma që pritet të bëhet në këtë institucion pas ngjarjes së ndodhur në Gërdec. Në këtë dikaster mund të vijë një përfaqësues i aleatëve të PD-së, ndoshta një republikan. 

11-Nard Ndoka - Ministër i Shëndetësisë, kryetar dhe deputet i PDK-së. Është kërkuar disa herë largimi i tij nga qeveria, por një marrëveshje me kryeministrin Berisha e mban atë në kabinetin qeveritar. Për të respektuar këtë marrëveshje, ai mund të bëhet pjesë e rotacionit brenda qeverisë, duke marrë një dikaster tjetër. Në vend të tij mund të vendoset ose një emër i njohur në fushën e mjekësisë, siç është Halim Kosova, ose ndonjë nga aleatët, siç është PBDNJ-ja, e cila mund të përfaqësohet nga Leonard Solis, ish-ministër Shëndetësie në qeverisjet socialiste dhe mjek. 

12-Jemin Gjana - Ministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, deputet i PD-së, bën pjesë në grupin e ministrave më të vjetër të qeverisë “Berisha”. Mund të bëhet pjesë e ndryshimeve qeveritare, për t’ia dhënë këtë post ndonjërit prej aleatëve.

13-Ylli Pango - Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, deputet i PD-së, në vend të tij mund të vijë Nard Ndoka, edhe pse ky i fundit nuk e ka pranuar këtë mundësi lëvizjeje.

14-Lufter Xhuveli - Ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, kryetar dhe deputet i PAA-së, aleat i ri i kryeministrit Berisha, është përfolur disa herë largimi i tij nga qeveria, por një marrëveshje e vitit 2005 me Berishën mund ta mbajë atë në këtë post.

Grupi parlamentar

Nëse kemi një largim të Astrit Patozit nga posti i kryetarit të grupit parlamentar të PD-së drejt një roli në qeveri ose më shumë, kandidatët e mundshëm për të drejtuar grupin parlamentar mbeten Edi Paloka ose nënkryetari aktual, Ferdinant Xhaferri.

Zëvendëskryeministri

Aktualisht është një pozicion i lënë bosh nga kryeministri Berisha pas emërimit të Gazmend Oketës në postin e ministrit të Mbrojtjes. Nuk përjashtohet mundësia që ky post të rikthejë në kabinet ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun, që sikurse është deklaruar nga vetë republikanët, mund të ketë një rikthim të tij në kabinet pas zbardhjes së akuzave publike që rëndojnë mbi të për ngjarjen e ndodhur në Gërdec. Nuk përjashtohet edhe mundësi tjetër, që një kandidate e mundshme të jetë edhe Majlinda Bregu, e cila mund ta ketë më të lehtë në rolin e zëdhënëses së qeverisë nëse vendoset në këtë post.

Skenarët e mundshme të ndryshimeve qeveritare

Skenari 1
Largohen nga qeveria vetëm ministrat aleatë dhe zëvendësohen nga ministra të Partisë Demokratike.

Skenari 2
Largohen nga qeveria vetëm ministrat aleatë dhe zëvendësohen me figura të tjera të po këtyre partive, duke respektuar marrëveshjet.

Skenari 3
Largohen nga të dy krahët, edhe disa nga ministrat aleatë, edhe disa nga ministrat e PD-së dhe zëvendësohen nga figura të tjera të PD-së.

Skenari 4
Largohen nga qeveria edhe disa nga ministrat aleatë, edhe disa nga ministrat e PD-së dhe zëvendësohen me figura të tjera të PD-së dhe të partive aleate.

Skenari 5
Largime nga qeveria të aleatëve dhe të disa ministrave demokratë, si dhe rotacion karrigesh brenda qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›