E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: Na pyesni dhe ne

Partia Demokristiane kërkon si nga aleatët e saj në bashkëqeverisjen e vendit, ashtu edhe nga partitë opozitare që reformat të kryhen përmes konsensusit dhe jo formulave të njëanshme. Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ka deklaruar dje, se përjashton kushtet në debatin politik për rikompozimin e qeverisë, por theksoi se partia e tij, si forca politike e dytë më e rëndësishme e koalicionit qeveritar, do të ketë një rol aktiv dhe të rëndësishëm në të gjithë proceset e ardhshëm politikë. Ndoka ashtu siç kishte konfirmuar për “Korrierin”, theksoi se ato mund të bëhet vetëm mbi bazën e një analize konkrete të punës dhe rezultateve në çdo sektor. “Nuk ka kohë për ndryshime formale, por nëse kërkohen të tilla, ato duhen bërë vetëm mbi bazën e një analize konkrete të punës dhe rezultateve në çdo ministri dhe sektor përkatës. Ministria që drejton PDK-ja është ndër të vetmit sektorë të vlerësuar pozitivisht në Raportin e Progresit të BE-së dhe gjithashtu sektori më funksional në rastin e menaxhimit të situatës së jashtëzakonshme pas tragjedisë së Gërdecit”, ka thënë ai. Duke folur për reformën zgjedhore, kryedemokristiani Ndoka ripërsëriti vullnetin politik për të realizuar një reformë të plotë integrale dhe afatgjatë, që eliminon skemat taktike të “Dushkut” dhe garanton votën e lirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ai nënvizoi se formacioni politik që drejton, mbështet parimisht e nevojshme në Kushtetutë, por kërkon që këto ndryshime të jenë të njëhershme edhe në Kodin Zgjedhor, në mënyrë që reforma të jetë transparente dhe e pranueshme nga të gjitha palët. Por ai u deklarua i prerë kundër çdo nisme të njëanshme apo përjashtuese për imponimin e formulave dhe reformave elektorale gjysmake, si dhe përsëriti kërkesën që mazhoranca duhet të konsultohet dhe të arrijë paraprakisht një paketë integrale të reformës zgjedhore, e cila më pas të ballafaqohet dhe të synojë marrjen e konsensusit edhe të partive kryesore të opozitës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›