Kalkulime socialdemokrate

Socialdemokratët pritet të zyrtarizojnë propozimin e tyre për korrektimin e proporcionalit rajonal në mbledhjen e parë të komisionit të reformës zgjedhore. Ndërkaq, PSD-ja e shikon si jonormal propozimin e socialistëve që ndryshimet kushtetuese të kryhen para atyre të kodit zgjedhor. Për nënkryetarin e PSD-së, Engjëll Bejtaj, nëse palët nuk do të binin dakord më pas për ndryshimet e kodit, situata do të ishte anormale. “Mënyra më e përshtatshme është që ndryshimet kushtetuese të kryhen njëkohësisht me pjesët e tjera të reformës. Duhet të kalojnë si një paketë e përbashkët bashkë me ndryshimet e kodit zgjedhor. Nëse do të ndodhë e kundërta dhe do të ketë kundërshti pas kalimit të ndryshimeve kushtetuese, për variantet e mëvonshme do të ishte një situatë jonormale”, - deklaroi Engjëll Bejtaj për “Korrierin”. Ky qëndrim i PSD-së vjen një ditë pasi bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Kastriot Islami, shprehej se komisioni do të rifillonte punën pasi të ishin miratuar në Kuvend ndryshimet kushtetuese. Ndërsa bie në kundërshtim me propozimin e socialistëve, Engjëll Bejtaj e shikon si të mundur gjetjen e gjuhës së përbashkët, duke e cilësuar qëndrimin e Islamit si jo përfundimtar. “Nuk është Islami ai që vendos. Ai ka mandat si çdo anëtar tjetër i komisionit dhe në kuptimin e votës, pavarësisht se është bashkëkryetar është i barabartë me çdo anëtar tjetër. Nuk shoh ndonjë problem që Islami është shprehur kështu”, - shprehet nënkryetari i PSD-së. Ndërkaq, vetë Islami shprehej dje, se socialdemokratët janë dakord me proporcionalin rajonal, ndërsa kanë edhe një propozim të vetin. Kjo konfirmohet edhe nga PSD-ja, që shton se propozimi do të zyrtarizohet së shpejti. “Propozimi ynë ka të bëjë me një korrektim kombëtar të proporcionalit rajonal që është propozuar. Pra, veç listave rajonale, të ketë edhe një listët kombëtare. Kjo do të hiqte edhe rritjen artificiale të pragut që krijohet nga proporcionali rajonal. Propozimi mendoj se ndodhet pranë Komisionit të Reformës Zgjedhore. Zyrtarisht do ta propozojmë që në mbledhjen e parë që do të ketë ky komision”, - sqaron Bejtaj. Propozimi i PSD-së ka filluar të shihet me sy të mirë nga një pjesë e mirë e partive të vogla dhe duket se urat e komunikimit janë edhe me socialistët. Këta të fundit janë shprehur të gatshëm të diskutojnë për detajet e proporcionalit rajonal. I vetmi problem i hasur së fundi lidhet me deklaratën e Kastriot Islamit, sipas të cilit duhet të miratohen më parë ndryshimet kushtetuese, ndërsa më pas Komisioni i Reformës të vazhdojë punën për ndryshimin e kodit zgjedhor. Socialdemokratët pranojnë proporcionalin rajonal, por vlerësojnë se ndryshimet kushtetuese të propozuara nga socialistët duhet të kalojnë si një paketë e plotë, së bashku me kodin e ri zgjedhor. Kjo duket të jetë përplasja e radhës, nisur nga fakti që edhe disa parti të tjera të vogla e kanë përkrahur tashmë proporcionalin rajonal të korrektuar.