E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria: “Rritet numri i astmatikëve në vend”



Ndryshimi i mënyrës së jetesës dhe urbanizimi i shpejtë në vendin tonë, kanë shtuar rastet e sëmundjes së astmës, sipas burimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, në Ditën Ndërkombëtare të Astmës, u bëri apel qytetarëve dhe veçanërisht personelit mjekësor, për rritje të masave kurativo- profilaktike dhe ndërgjegjësimin e të sëmurëve për kryerjen e një mjekimi të rregullt. Autoritetet e shëndetësisë vlerësojnë se astma në Shqipëri, përbën një problem shqetësues për shëndetin e qytetarëve, jo vetëm nga rritja e numrit të rasteve, por dhe nga shfaqja e sëmundjes në moshat e reja. Sipas tyre, astma është një sëmundje, e cila nëse nuk kurohet rregullisht, vazhdon gjatë gjithë jetës. Ndërkohë, duke iu referuar statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, çdo vit 10 përqind e pacientëve kurohen në Spitalin Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive për astmë bronkiale të ndërlikuar. Astma, një sëmundje që shkaktohet nga alergantët e ndryshëm si, polenet e luleve, substancat kimike, detergjentët, pajisjet kozmetike, paraqitet nga format më të lehta (si inflamacion i hundës ose në formë të inflamacionit të rrugëve të sipërme respiratore) deri në ato më të rënda që njihen si "sulm astmatik". Frymëmarrja tek pacientët me këtë sëmundje është shumë e vështirësuar, një gjendje që mund të shkaktojë tension të lehtë arterial dhe nje takikardi (rrahje e shpejtë e zemrës), po ashtu edhe një puls i shpejtë, si rezultat i mbiajrosjes së theksuar të mushkërive. Sipas mjekëve, kjo sëmundje mund të japë shumë komplikime si, infeksionet bronkopulmonare, pneumatoraks spontan, pleurit e deri në insufiçencë respiratore, gjë qe paraqet stadin më të rëndë të njeriut me sëmundje të mushkërive.

3 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›