E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmet Zogu refuzoi propozimin britanik për Komitetin Shqiperia e Lire

Agjentët anglezë nisin trajnimin e 30 rekrutëve shqiptarë në Maltë

Stephen Dorril

(Vijon nga numri i kaluar)

Në Maltë, me tridhjetë shqiptarët, të cilët kamufloheshin si anëtarë të një ekspedite eksperimentuese, u takua punonjësi i MI 6-s Rollou Jang dhe Elister Grent, ushtarak me gradën kapiten, person i dytë në Shërbimin. Të rekomanduarit u çuan në kështjellën Benjima, ku Smajli i kamufluar si zëvendës shef i shtabit në Kastilie, selia e garnizonit të Valetës, ishte tashmë në krye të detyrës së bashku me gruan e tij Moi Smajli, ish-shifrante gjatë kohës së luftës në Ndihmën e Shpejtë të Rojës Kombëtare Kalorsiake (FANY) në Najrobi, e cila u mor përkohësisht për të ndihmuar në punët e shifrimit. Radisti i Smajlit, Bill Ganër Kollins, që kishte qenë në përbërjen e SOE-s në Shqipëri dhe pastaj në Tajlandë, kontrollonte ndërlidhjen me Londrën. Ndërmjet atyre që ndihmuan në stërvitjen e shqiptarëve ishte edhe Robërt Dok Zinër që kishte qenë në përbërjen e SOE-s në Paris. Roberti ishte profesor i Oksfordit për besimet fetare të lindjes. Ai shpejt hoqi imazhin e profesorit të çmendur dhe për tre muaj filloi të flasë rrjedhshëm shqip e greqisht 64). Ndërkohë që operacioni po zhvillohej me vështirësi, kishte nga ata që kishin frikë se operacioni po dështonte. Frenk Lindzi, i vetëdijshëm se Titoja nuk kishte ndërmend që t’i ndihmonte, i kërkoi Majkëll Bërkut të pranonte një emërim afat-shkurtër. Ai ishte një yll i futbollit dhe njeriu i OSS-s që e dashuronte rrezikun. Pat shërbyer në prapavijat gjermane në Itali dhe në Francë gjatë luftës para se përfundimisht të punonte në sheshin Grosvenor në Londër, prej ku organizonte shpërndarjen e agjentëve në Gjermani. Bërku ishte modeli për Geri Kuper në filmin “Cloak and Dagger”. I ndodhur midis kuriozitetit, devotshmërisë dhe skepticizmit, Bërk, pranoi të shërbente. Në korrik, i liruar nga Uoronër Bradhërs ai përdori në Romë kamuflimin si ekzekutiv filmi me “Imperial Films”, për të vepruar si ndërmjetës ndërmjet OPC-së dhe Komitetit Shqipëria e Lirë dhe për të hetuar për përcaktimin në Itali dhe Greqi të vendeve që do të duheshin për operacionin. Lindzi i kërkoi atij një raport të hollësishëm, mbasi operacioni të kishte marrë fund. OPC-ja caktoi gjithashtu Xhon Papajanin, një amerikan me origjinë shqiptare që kishte punuar së bashku me Uajznërin gjatë luftës si përkthyes, në Fortesën e Maltës. Megjithëse joshës, Papajani shikohej si një person që s’mund ti zihej besë dhe një zgjidhje jo e mirë për një detyrë kaq delikate. Si pjesë e ndihmës financiare, OPC-ja e ujdisi që MI 6-a do ta furnizonte me 10000 sterlina në vlerë ari të paketuara në kutiza druri të cilat u çuan në Maltë nga RAF-i 65). Në fillim të qershorit, oficeri i OPC-së Robert Llou mbërriti në Londër për të marrë udhëzime të hollësishme nga Stjuart Menis. Llou, oficer në rezervë në ushtrinë amerikane, me njohuri për zonën e Ballkanit, pat punuar me OSS-në në Kajro. Ai kish qenë oficer zbulues në Europën Perëndimore gjatë vitit të fundit të luftës dhe më vonë korrespondent i “Time-Life” në Pragë. Ai pranonte që Shtetet e Bashkuara për momentin ishin akoma një partner i vogël. Gjithçka varej nga kushërinjtë britanikë për të dhënë lajme lokale dhe këshilla politike, njerëzit e tyre kishin shërbyer me SOE-n në Shqipëri dhe ishin bërë ekspertë botërorë për këto lloj çështjesh. A kish kuptuar që ata oficerë të MI 6-ës që kishin shërbyer në SOE hidhëroheshin kur shikonin që përpjekjet e tyre ktheheshin kundër tyre, veçanërisht incidenti i Korfuzit, dhe urrenin regjimin e Hoxhës. Megjithatë, ata kishin ndërmarrë mjaft punë të cilat Llou mendonte se ishin të realizueshme dhe të arsyeshme 66). Më 24 qershor, së bashku me një oficer tjetër të zbulimit amerikan, Robert Mainë, Llou shkoi në Romë së bashku me grupin britanik për të përfunduar bisedat e tyre me të arratisurit për një marrëveshje për caktimin e presidentit dhe të Ekzekutivit të Komitetit Shqiptar. E vetmja pengesë dukej se ishte mirëkuptimi i Mbretit Zog. Entëni Veriër, Meklein dhe Emeri ishin mjaft të sigurt se Zogu nuk do të pranonte të ishte vetëm një kukull. Emeri pavarësisht se shihte çështjet e mëdha në lidhje me të djathtën dhe të majtën, ishte i vetëdijshëm se kundërrevolucioni duhet të ketë një udhëheqës që do të bënte lajka social demokracisë. Zogut, që kishte shkuar në Egjipt që në vitin 1946, iu propozua vetëm si një veprim formal. Më 7 korrik 1949 u arrit marrëveshja ndërmjet grupeve të ndryshme. Mit’hat Frashëri do të kryesonte Ekzekutivin e Komitetit Shqipëria e Lirë dhe do të parashtronte çështjen e nacionalizmit para botës. I emëruari i Zogut, Abaz Kupi u caktua kryetar i juntës ushtarake, Ermenji si zëvendës dhe sekretar i mbretit dhe Gaqo Gogo, si sekretar i juntës dhe i Ekzekutivit. Meklein, Heër dhe Herëld Përkins u nisën për në Kajro dhe në Aleksandri u takuan me Emerin dhe Lloun. Shtatë ditë më vonë, ata takuan mbretin, i cili refuzoi krijimin e Komitetit. Ai ishte i gatshëm të ndihmonte përpjekjet e tyre mbas një ligjërate diplomatike të Emerit, i cili tha se me kthimin e Lartmadhërisë së tij do të mbahet referendum në rast se operacioni del me sukses, ndërsa Komiteti do të mbetej vetëm si një organ përfaqësues. Lou e konsideroi ligjëratën e Emerit mjeshtërore: “Nuk kam parë diplomaci të tillë në jetën time. Ai ishte si Talleyard. Ai e bindi Zogun që ai të ishte i matur si një besimtar i patundur për demokracinë për të na dhënë neve ndihmën e tij” 67). Situata politike e vendit në fund të verës kishte ndryshuar paksa, kur ambasadori grek në Uashington i bëri presion administratës amerikane për të ndërmarrë veprime kundër Shqipërisë. Rebelët ishin akoma aktivë dhe në radhët e udhëheqësve grekë kishin thirrje në rritje për pushtimin e Epirit të veriut. Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme Greke, Panajotis Pipinelis, i cili si udhëheqës sekret i grupit konspirativ IDEA (Lidhja e Shenjtë e Oficerëve Grekë) të nacionalistëve të djathtë, duke pasur influencë të madhe tek Ministri i Jashtëm Çaldaris, paralajmëroi të porsa ngarkuarin me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Athinë, se vërente që antipatia e Qeverisë Britanike për regjimin e Hoxhës, që nuk do të shkaktonte ndonjë keqardhje në Angli, mund të sjellë si pasojë që komiteti i porsa formuar të konsiderohet de facto si qeveri e ligjshme e Shqipërisë. Forin Ofisi më datën 7 i dërgoi telegram ambasadës në Romë ku thuhej: Ne nuk do t’i japim publicitet formimit të komitetit, sepse në thelb nuk duam që në Jugosllavi apo tjetërkund të kuptojë që prapa tij qëndrojnë fuqitë Perëndimore. Din Ecësen i dha të njëjtën këshillë misionit të SHBA, që komiteti shqiptar në mërgim të vihej nën ombrellën e “Komitetit Europa e Lirë” e cila ishte një organizatë joqeveritare 69). Me shpresën që kur kryengritësit emigrantë, mbasi të dërgoheshin në atdhe do të krijonin një pikë mbështetje në vend, Frenk Uajznëri dërgoi në Londër shefin e luftës psikologjike Xho Brajën nga një derë e fisme virxhinase i njohur si “Duka i Riçmondit”, i cili fshehurazi kishte financuar versionin vizatimor të librit Femra e Kafshëve të Ornuellit; Brajën duhet të bashkëpunonte në formulimin e një komunikate mbi formimin e Komitetit. Më 26 gusht, Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi dhe Seit Kryeziu shpallën në Paris formimin e Komitetit Shqipëria e Lirë. Frashëri u tha gazetarëve të mbledhur se regjimi aktual në Shqipëri i Marshallit Enver Hoxha është aq i dobët sa mund të rrëzohet në çdo kohë. Pavarësisht kërkesës së OPC-së, shërbimi sekret francez refuzoi të marrë pjesë në fillimin e punës së Komitetit sepse sipas një oficeri të (SDNCE) Komiteti konsiderohej si një fabrikim që nuk përfaqësonte askënd. Në fund të muajit, udhëheqësit kryesorë të emigrantëve shkuan në kryeqytete të tjera të Europës për ti bërë reklamë ekzistencës dhe kauzës së tyre. Në Londër, ata u vunë nën mbrojtjen e Pitër Kempit, një veteran tjetër i SOE-s që kish qenë në Shqipëri dhe kishte punuar në Poloni bashkë me Përkinsin. Një antikomunist i vendosur ai kish luftuar me Karlistët pro Frankos në Luftën Civile në Spanjë, përkrah shokut të tij të ngushtë Arçi Lajël. Komiteti pati pak publicitet në Londër dhe u injorua nga agjencitë zyrtare, megjithëse Hju Karltën Grinë i cili ishte shefi i transmetimeve të BBS-së për Europën lindore, u takua me ta dhe u dha një interval kohe për transmetime për Shqipërinë. A pati sukses kjo, është e diskutueshme përderisa numri i radiove në Shqipëri ishte jashtëzakonisht i vogël dhe furnizimi me energji elektrike apo bateri që i përket.

62-67. Revista ST, 4.1.73; Verrier, f.69 dhe 76-7; Bethell, Betaryal, f.i,41, 55-9, 62-5 dhe 71.
68. Wittnwr, f.279; Verrier, f.72; Frus 1949, Vol VI, f.386
69. PRO FO 371/ i 78443 dhe 371/78213; Bland.

Përktheu: Perlat Çaushi

Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

Në numrin e radhës do të lexoni:

Si e la në mes misionin e tij Abaz Kupi dhe si u zbulua ai më vonë nga pala shqiptare

Si reagoi Tirana dhe çfarë tha Enver Hoxha në një fjalim të tijin më vonë

Cili ishte roli i mëvonshëm i Komitetit Shqipëria e Lirë, dhe kush e mbështeste atë

Për më shumë na ndiqni në numrin e radhës

3 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›