USAID: Ka rënë besimi i shqiptarëve te gjykatat

USAID, Agjencia e Departamentit të Shtetit të SHBA-së për ndihma, është shprehur i shqetësuar në lidhje me besimin e publikut shqiptar në luftë kundër korrupsionit në gjykata. Shefi i programeve të USAID, Shon Huf, deklaroi dje në një takim ku prezantohej puna trevjeçare e shoqatës amerikane në Shqipëri se, institucionet duhet të dënojnë ata që nuk pranojnë rregullat, sepse në të kundërt nuk mund të ketë transparencë. USAID deklaroi se ka rënë me 10 për qind brenda një viti besimi i publikut te drejtësia çka konsiderohet tepër shqetësuese. “Mënyra e luftës ndaj korrupsionit në drejtësi është nëpërmjet transparencës. Hapni gjykatat. Bëjini rregullat dhe procedurat të qarta. Dënoni ata që nuk zbatojnë rregullat. Vendosni standarde të larta. Fitoni mbështetjen dhe besimin e publikut duke qenë aktivë. Që gjykatat të jenë transparente dhe të hapura ndaj publikut, seancat duhet të mbahen në sallat e gjyqeve e jo në dhomat e gjyqtarëve. Jepuni fund gjyqeve në dhomat e gjyqtarëve. Besimi i publikut për gjyqësorin ka rënë me 10% për qind për një vit. është aq shqetësuese sa edhe e rënies së thellë të besimit të publikut ndaj ILDKP-se dhe OJQ-ve të tjera. Këto institucione janë rojet e besimit dhe duhet të përmirësohen”, u shpreh Huf. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, u shpreh në takim se qeveria është duke punuar për përmirësimin e kushteve në gjykata dhe për të kthyer besimin në komunitet, ndërsa nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka paralajmëruar inspektime për çdo ankesë të qytetarëve.
Spahiu“Reforma në drejtësi po has vështirësi për shkak të mosmiratimit të ligjeve kryesore”. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, konferencës së organizuar nga USAID është shprehur i shqetësuar në lidhje me ecurinë e reformës në drejtësi. Sipas Spahiut, reforma po pengohet për shkak të mungesës së vullnetit politik të partive parlamentare, të cilave u ka bërë apel të japin konsensus. “Për momentin jemi të ndërgjegjshëm për të pranuar vështirësitë që po kalon vetë Këshilli i Lartë i Drejtësisë, por edhe reforma në gjyqësor. Për më se 2 vjet, KLD e ka të pamundur ngritjen e gjykatave administrative për shkak të pamundësisë së miratimit të projektligjit në Kuvendin e Shqipërisë. Shfrytëzoj nga rasti për të përmendur jo vetëm projektligjin për Gjykatën Administrative, por një sërë ligjesh të tjera organike të rëndësishme po pengojnë thellësisht reformën në drejtësi. Shfrytëzoj nga rasti për të apeluar në çdo parti mundësinë e dhënies së konsensusit për të miratuar në Kuvend në mënyrë që të mund të realizohet reforma gjyqësore”. theksoi Spahiu. Ndërkaq, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, tha se reforma në sistemin e drejtësisë është prioritet i ministrisë që ai drejton dhe i qeverisë shqiptare. “Reforma në drejtësi dhe forcimi i pushtetit gjyqësor është prioritet i veprimtarisë së Ministrisë së Drejtësisë, në materializimin e politikës së qeverisë shqiptare për mbrojtjen e vendosur të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, rikthimin e besimit të qytetarëve te drejtësia, rritjen e transparencës dhe luftën pa kompromis kundër shfaqjeve korruptive”, theksoi Nishani.
#