E Diel, 1 Nëntor 2026

USAID: Shqipëria të bëhet konkuruese në tregjet e huaja

TIRANE- Shqipëria duhet të bëhet konkurruese në tregjet e huaja nëpërmjet rritjes së eksporteve. Ka qenë ky mesazhi që drejtori i USAID-it në Shqipëri, Jozef Williams ka bërë gjatë prezantimit të raportit të tregtisë së jashtme gjatë vitit 2009 nga Qendra Shqiptare për Tregtinë Ndërkombëtare. Sipas tij, edhe pse deficiti tregtar nuk u thellua vitin e kaluar eksportet pësuan një rënie të ndjeshme prej 8%, cka shton domosdoshmërinë për të përmirësuar konkurueshmërinë e produkteve në tregjet e brendshme dhe të jashtme. I pranishëm në këtë aktivitet, ka qenë edhe ministri i Ekonomisë Dritan Prifti i cili ka vlerësuar ecurinë pozitive të ekonomisë sonë gjatë periudhës së krizës globale.

“Në qoftë se vendet e tjera kanë pasur rënie të importeve 10 apo 15% , rëniet e importeve në Shqipëri kanë qenë vetëm 1.8%. Vendet e tjera rreth nesh, apo edhe vendet e zhvilluara të botës dhe Europës kanë patur rënie shumë më të mëdha eksportesh në rreth 20-25% , Shqipëria për shkak të rënies së kërkesës në tregun botëror , ka pasur rënie të eksporteve rreth 8%.” u shpreh Prifti.

Shqipëria mbetet një vend importues i pjesës dërrmuese të produkteve që konsumon, duke filluar nga produktet ushqimore e deri tek lënda e parë për industrinë , ndërkohë që eksportohen kryesisht mallra fasoni si tekstile dhe këpucë.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›