E Diel, 1 Nëntor 2026

Majko: Pyetësori si dosje e PD

Ish- kryeministri socialist Pandeli Majko e cilesoi dorëzimin në Bruksel të përgjigjeve të pyetësorit një moment të rëndesishem në historinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Në të njëjtën kohë ai theksoi se bashkë me dosjen voluminoze kreu i qeverisë Sali Berisha transportoi në Bruksel edhe krizën politike në Shqipëri.

“Nga pikëpamja protokollare përbën një moment të rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Mendoj se së bashku me atë libër aq të rëndë për Shqipërinë dhe shqiptarët Berisha vuri në tavolinën e BE edhe krizën e cila me të drejtë nga kryetari i Komisionit Parlamentar për Ballkanin u përcaktua si degradim. Pra nëse dikur flitej për krizë, tani flitet për degradim dhe ju siguroj që faza e tretë është kaosi. Jam i bindur që nëse do të ketë një qëllim për negociata thelbësore midis palëve politike në Shqipëri kjo nuk do të arrihet” tha Majko.

Sipas zoti Majko i cili foli në “Ora 20:00” në Alsat dokumenti i dorëzuar në Bruksel nuk i takon vetëm një qeverie, ndërsa vuri në dukje qe në delegacionin shqiptar mungonte ministri i Jashtëm Ilir Meta. ”Ai është një dokument që sipas mendimit tim duhet të shkonte si një dokument i gjithë shqiptarëve. Nuk duhej të shkonte si një dokument i një qeverie dhe si një protokoll i një individi dhe madje do të thosha dhe i një partie. Më bëri përshtypje që në delegacion nuk ishte ministri i jashtëm, i cili është institucioni që e ka koordinuar këtë histori dhe që në cdo vend normal do ta kishte ne delegacion” tha Majko.

Ndërsa nuk përjashtohet që kriza politike në vend mund të ndikojë në procesin integrues të vendit, Pandeli Majko thotë se mund të kapërcehet kjo situatë përmes bisedimeve pozitë-opozitë.
Azhornuar së fundi ( e enjte , 15 prill 2010 ) < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›