E Shtunë, 31 Tetor 2026

USAID: S'ka investime pa hetuar gjyqtarin

USAID bëri publike qëndrimin e saj për pezullimin e investimit, derisa KLD-ja të marrë një vendim për gjyqtarin e rrethit të Matit. 

Në një njoftim për median theksohet se, "Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar nënshkroi një marrëveshje me Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Mat për të mbështetur përmirësimin e efikasitetit dhe të përgjegjshmërisë së Gjykatës, pjesë e projektit trevjeçar për Shtetin Ligjor. Duke marrë parasysh akuzat e kohëve të fundit ndaj një gjykatësi në Gjykatën e Rrethit Mat, USAID-i ka vendosur të pezullojë asistencën ndaj kësaj gjykate, duke filluar nga dita e sotme". "Kjo, derisa Këshilli i Lartë i Drejtësisë të përfundojë hetimin e tij në proces kundrejt gjykatës dhe derisa gjykata të dalë e pastër nga ky hetim", theksohet në deklaratë. Ky vendim erdhi pas incidentit të gjyqtarit Murat Leshi me gazetarin Ksenofon Ilia të "Top Channel". Pas këtij konflikti, ka qenë agjencia e SHBA-së që ka ndërhyrë në zgjidhjen e këtij konflikti, duke i kërkuar KLD-së që të hetojë mbi incidentin e ndodhur një muaj më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›