E Diel, 1 Nëntor 2026

USAID-i, “shuplakë” qeverisë: “Nuk keni luftuar korrupsionin dhe evazionin”

Qeveria e SHBA-ve i kërkon kryeministrit Berisha luftë ndaj korrupsionit. Fenomeni rrezikon ta lërë Shqipërinë jashtë projektit “Sfida e Mijëvjeçarit”

Ervin KOÇI

Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar, “USAID”, i ka dhënë dje një “shuplakë” të fortë qeverisë, pikërisht në pikën më të “fortë” të saj, siç pretendohet nga kryeministri Berisha, luftën ndaj korrupsionit. Ka qenë vetë drejtoresha e USAID-it në Shqipëri, Roberta Mahoney, e cila në një deklaratë të saj dje përpara kryeministrit Berisha shprehu qëndrimin se qeveria shqiptare nuk ka bërë aq sa duhet në luftën ndaj korrupsionit dhe evazionit fiskal. “Si anëtare me të drejta të plota në NATO Shqipërisë do t’i kërkohet një punë më e mirë në luftën kundër korrupsionit, i cili mbetet ende një problem serioz në vend. NATO-ja pret një qeverisje më të mirë ndaj anëtarëve të saj për të ndëshkuar korrupsionin në mënyrë të drejtë dhe të paanshme”, - theksoi drejtoresha e USAID-it, Roberta Mahoney. Më tej përfaqësuesja e lartë e USAID-it, duke shprehur qëndrimin e saj edhe në emër të qeverisë së SHBA-ve, tha se Agjencia konstaton se korrupsioni në Shqipëri vazhdon të mbetet një problem serioz. Sipas znj. Mahoney, qeveria e kryeministrit Berisha nuk ka bërë aq sa duhet për të luftuar korrupsionin në mënyrë të drejtë dhe të paanshme. Deklarata u bë dje në përurimin e Qendrës Kombëtare të Licencimit, ceremoni në të cilën ishte i pranishëm edhe kryeministri Berisha, i cili ka pranuar faktin se ka ende korrupsion, por se qeveria e tij po e lufton.

Korrupsioni

I ndodhur përballë deklaratave të tilla të forta të bëra nga një prej përfaqësuesve të shtetit amerikan në vendin tonë, kryeministri Berisha e ka pranuar faktin e pranisë së lartë të korrupsionit në radhët e administratës së tij. “Qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje për zbatimin e projekteve të reja që lehtësojnë biznesin dhe luftojnë me eficiencë korrupsionin”, - deklaroi në fjalën e tij kryeministri Sali Berisha, ndërsa merrte pjesë dje në ceremoninë e hapjes së zyrave qendrore të Qendrës Kombëtare të Licencimit në Tiranë. Prania e korrupsionit në radhët e administratës ka qenë dhe arsyeja kryesore që ka detyruar përfaqësuesit e USAID-it në Shqipëri, që t’i kujtojnë qeverisë edhe një herë humbjen e mundësisë së financimit nga projekti i Sfidës së Mijëvjeçarit, i cili financohet nga qeveria e SHBA-ve. Mahoney vuri në dukje se, vetëm nëse konstatohet se ka prova konkrete dhe të bindshme që Shqipëria po lufton korrupsionin, atëherë ajo mund të ketë mundësi të përfitojë nga asistenca e SHBA-ve në kuadër të Sfidës së Mijëvjeçarit. ”Shqiptarët kanë tashmë një mundësi për t’u kualifikuar për marrëveshjen e kontaktit në llogarinë e Sfidës së Mijëvjeçarit gjatë vitit të ardhshëm, prandaj i bëjmë thirrje qeverisë të përfitojë plotësisht nga kjo mundësi që i ofrohet”, - tha drejtoresha e USAID-it duke vënë theksin se “nëse nuk ka prova të qarta e të bindshme për luftimin e korrupsionit, nuk do të ketë shumë gjasa për Shqipërinë që të kualifikohet për asistencë të mëtejshme nga SHBA-të në kuadër të Sfidës së Mijëvjeçarit”.

Aktiviteti

Deklaratat e djeshme në lidhje me korrupsionin në administratën tonë janë bërë gjatë aktivitetit për hapjen e Qendrës Kombëtare të Licencimit, QKL, që është mundësuar falë financimit nga paratë e taksapaguesve amerikanë. “Qendra Kombëtare e Licencimit u ngrit nga qeveria shqiptare me ndihmën e popullit amerikan për ta bërë procesin e licencimit të biznesit në Shqipëri më të lehtë, më të shpejtë dhe transparent”, - thuhej në pllakatën e zbuluar dje nga kryeministri Berisha dhe drejtoresha e misionit të USAID-it në Shqipëri, Roberta Mahoney. Kryeministri Berisha në fjalën e tij e cilësoi QKL-në si një ndër përpjekjet e qeverisë shqiptare për të lehtësuar barrën burokratike dhe financiare mbi biznesin dhe për të luftuar me eficiencë korrupsionin. QKL-ja është hapur me mbështetjen e fazës së dytë të programit “Prag” të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit në Shqipëri. Kjo marrëveshje 2-vjeçare me vlerë 15.7 milionë dollarë ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-ve, e financuar nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit dhe administruar nga USAID-i, ka si synim të forcojë shtetin ligjor, të reduktojë korrupsionin dhe të rrisë mbikëqyrjen nga publiku, përmes zgjidhjeve të teknologjisë së informacionit dhe ndihmës teknike, duke përmirësuar në këtë mënyrë klimën ndaj biznesit në Shqipëri.

BOX///////////////////////////
QKL-ja, licenca dhe leje në një ditë për bizneset

Qendra Kombëtare e Licencimit do të mundësojë dhënien e lejeve dhe licencave për biznesin brenda një dite, duke synuar kështu eliminimin e burokracive dhe korrupsionit në këtë fushë. QKL-ja, si një institucion publik qendror në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, do t’i pajisë bizneset që nga lejet profesionale e deri te licencat me praktika të shpejta dhe afate optimale të aplikimit. Kjo qendër do të funksionojë për të gjitha ato biznese apo për individë që kërkojnë të licencohen në çdo sektor. Ajo do të funksionojë si një “One Stop Shop”, në të cilin biznesi do të gjejë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Në këtë mënyrë do të mjaftojë vetëm një sportel i vetëm për të aplikuar dhe për të marrë një leje, licencë ose autorizim. Kjo sa i përket fushave të arsimit, transportit, shëndetësisë, sigurisë kombëtare apo edhe shërbimit të Përmbarimit. Afati i marrjes së vendimit sipas këtij dokumenti, është nga 10 ditë për lejet e peshkimit, 30 ditë për lejet e tjera të zakonshme dhe 60 ditë për lejet dhe licencat që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare.

10 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›