E Shtunë, 31 Tetor 2026

USAID mbështet zhvillimin e projektit të ullirit



USAID promovon Zhvillimin e Strategjisë për Mbështetjen e Industrisë Shqiptare të Ullirit. Programi i USAID-it, Konkurrueshmëria e Bujqësisë Shqiptare, organizoi dje një takim për të diskutuar prioritetet strategjike për zhvillimin e nënsektorit shqiptar të ullirit. Takimi u hap nga ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli dhe drejtoresha e Misionit të USAID-it në Shqipëri, znj. Roberta Mahoney.

Qëllimi i këtij aktiviteti është të mundësojë dialogun për politikat ndërmjet nënsektorit publik dhe privat dhe t’u japë prodhuesve, përpunuesve dhe tregtarëve të ullirit, mundësinë për gjetjen dhe propozimin e zgjidhjeve për sfidat që lidhen me nënsektorin e ullirit. “Politikat që do të hartohen tani do të ndikojnë në zhvillimin e ardhshëm të nënsektorit shqiptar të ullirit”, - tha Mahoney në fjalën e saj në konferencë. “Është shumë e rëndësishme që këto vendime strategjike të bazohen në analiza të thelluara ekonomike, të cilat marrin në konsideratë informacion nga fermerët, tregtarët dhe përpunuesit”.

Programi AAC i USAID-it dhe lektorët e Universitetit Bujqësor të Tiranës paraqitën prezantime lidhur me rëndësinë ekonomike të nënsektorit të ullirit, gjendjen aktuale të tregjeve globale të vajit të ullirit dhe konkurrueshmërinë e industrisë shqiptare të ullirit. Prezantimet nënvizuan tendencën globale të rritjes së efiçencës të ullishteve, kundrejt zgjerimit të sipërfaqes së kultivimit të ullirit. Aktiviteti përfundoi me prezantimet e grupeve nga sektori privat, të cilët identifikuan dhe prioritarizuan faktorët kyç që ndikojnë në konkurrueshmërinë e prodhimit dhe përpunimit të ullirit. Propozimet e pjesëmarrësve në aktivitet do t’i paraqiten në fund të muajit, Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, si rekomandime të nënsektorit privat.

Prokurimet publike, komision për shqyrtimin e ankesave

Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje ndryshimet në ligjin "Për prokurimin publik", duke bërë edhe disa amendime në projektin e hartuar nga Agjencia e Prokurimit Publik. Për shqyrtimin e ankesave gjatë prokurimeve publike tashmë do të ngrihet një komision, ndërsa dispozitat e prokurimit publik do të zbatohen edhe për kontrata publike për operatorët që veprojnë në sektorët e ujit, energjisë, transportit dhe shërbimeve postare. Ndër çështjet më të diskutuara ishte përbërja e komisionit të shqyrtimit të ankesave, ku sipas APP, kusht për 5 anëtarët e komisionit duhet të ishte profesioni jurist dhe një eksperiencë pune prej 5 vjetësh në këtë sektor. Por, anëtarët e deputetët e Komisionit të Ekonomisë e rrëzuan këtë pikë, duke i propozuar Kuvendit përbërje të re të komisionit. Deputetët do të propozojnë në Kuvend përbërjen e këtij komisioni prej 5 anëtarësh, ku për vetëm tre prej tyre do të vendoset kusht profesioni jurist, ndërsa dy të tjerë mund të jenë ekonomistë apo inxhinierë. Deri tani procesi i ankimimit është kryer nga Drejtoria e Ankesave dhe Çështjeve Ligjore për Prokurimet, në Agjencinë e Prokurimit Publik.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›