E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset: Rritja e energjisë do rrisë çmimet

Përfaqësuesit e Fasonëve kundërshtojnë kërkesën e OSSH-së për rritjen e energjisë elektrike me 23 për qind


TIRANË- Kërkesa për rritje të çmimit të energjisë nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes është shoqëruar me shqetësim tek bizneset. Të përballur me efektet e krizës ekonomike, e cila në vendin tonë u përkthye me tregues si, ulje të likuiditetit në treg apo rënie të eksporteve, një rritje e pritshme e çmimit të energjisë theksojnë ata, do të vështirësonte edhe më tej situatën.


Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve, përfaqësuese e interesave të një prej bizneseve që ka punësuar një numër të konsiderueshëm punonjësish, reagon ndaj hapit të ndërmarrë nga OSSH-ja. Sipas tyre, kërkesa për rritjen e çmimit të energjisë duhet të parë me vëmendje nga ana e Entit Rregullator të Energjisë duke qenë se nuk shihet asnjë ndryshim që ka të bëjë me cilësinë e shërbimit krahasuar me periudhën kur OSSH-ja ishte pronë e shtetit.


"Në parim jemi dakord me barazimin e kostos me çmimin, për çdo lloj produkti dhe shërbimi që ofron tregu. Sektori i fasonëve, një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve ia faturon harxhimit të energjisë elektrike. Në këtë kuptim çdo rritje çmimi ka kosto në shpenzimet e planifikuara.


Në ndryshim nga sipërmarrjet e tjera që rritjet e ndryshme të kostove ia faturojnë produktit të gatshëm, kompanitë e fasonit, që punojnë me material me porosi, nuk mund t'i shtojnë në çmim këto kosto shtesë, sepse çmimi për njësi është i fiksuar në kontratat shumëvjeçare dhe nuk mund të ndryshojë për çdo vit, aq më tepër dy-tre herë në vit", - tha Bardhi Sejdarasi nga Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve. Sipas tij, para se të kërkojë rritjen e çmimit Operatori privat duhet të disiplinojë mos paguesit e energjisë së konsumuar, të eliminojë faturat aforfe dhe të ofrojë shërbim cilësisht profesional.


Sipas Konfeksionistëve, gjatë shqyrtimit të kërkesës, ERE duhet të ketë parasysh se rritja e çmimit të energjisë do të dëmtojë konkurencën e kompanive shqiptare me ato të rajonit duke ditur se e vetmja që bën diferencën është kostoja e ulët e fuqisë punëtore.


Ndryshe nga bizneset që prodhojnë për eksport ku për shkak të kontratave disa vjeçare shtrenjtimin e energjisë nuk mund ta pasqyrojnë në çmimin e produkteve, prodhuesit për tregun vendas janë të detyruar që këtë kosto shtesë t'ia faturojnë konsumatorit. Kështu rritja e çmimit të energjisë pritet të shoqërohet me shtrenjtimin e një serë mallrash dhe shërbimesh.


Ato që kanë reaguar menjëherë pas luhatjeve të çmimit të ndonjë përbërësi kanë qënë prodhuesit e bukës. Sipas ekspertëve, rritja e mëtejshme e kostos së prodhimit e bën të pashmangshme shtrenjtimin e çmimit të saj gjatë muajve në vazhdim.


Një ditë pas publikimit të lajmit se OSSH ka kërkuar një rritje prej 23 për qindësh për çmimin e energjisë, reagoi edhe ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, i cili i kërkoi ERE-s që gjatë shqyrtimit të kësaj kërkesë t'i jepet përparësi interesave të konsumatorit.


Nuk dihet ende se sa do të jetë masa e rritjes së çmimit të energjisë, shqyrtimi kësaj çështjeje i përket ekskluzivisht Entit Rregullator të Energjisë. Gjatë marrjes së vendimit ERE do të marrë në shqyrtim një serë treguesish që kanë të bëjnë me koston e prodhimit , blerjes apo transmetimit të energjisë elektrike. Emirjon Senja


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›