E Shtunë, 31 Tetor 2026

UT gati për të pritur 8 mijë maturantët e rinj

10/07/2009  Kushtet në fakultete

Fakultetet e Universitetit të Tiranës në nisjen e vitit akademik do të jenë në gjendjen e duhur për të pritur studentët e rinj, që do të përzgjidhen në saje të procesit të Maturës Shtetërore. Bazuar në propozimet e bëra nga vetë drejtuesit pranë 8 fakulteteve të UT-së, do të akomodohen jo pak, por rreth 8 mijë studentë të rinj nga të gjitha rrethet e vendit si dhe kuotat e propozuara për trojet. Pas inspektimit të kushteve dhe kapaciteteve për secilin institucion nga kreu i UT-së, Dhori Kule, është pohuar se këto fakultete kanë bërë të mundur krijimin e infrastrukturës së duhur për të pritur studentët e rinj pa cenuar cilësinë e procesit mësimor. Kule pohon se nisja e vitit të ri akademik 2009–2010 nuk do të shoqërohet me probleme për sa i përket stafit pedagogjik dhe ambienteve ku do të vendosen studentët. Pas kontrolleve të bëra rezulton se godinat e tetë fakulteteve tashmë disponojnë të gjithë kapacitetin e mundshëm për të pritur, pranimet e reja. "I siguroj që do të kenë staf më cilësor, më të angazhuar për vitin tjetër, më të kompletuar nga pikëpamja numerike. Presim pas përfundimit të projektit të detajuar të kampusit të filloje puna për ndërtimin e tij dhe kryeministri e ka mbështetur dhe kam bindjen se do të fillojë procesi për ndërtimin e një kampusi që i jep zgjidhje përfundimtare infrastrukturës perëndimore të Universitetit të Tiranës", - ka pohuar rektori Kule. Krahasuar me pranimet e bëra gjatë viteve të shkuara, pjesa dërrmuese e këtyre fakultete i kanë rritur kuotat e pranimeve, çka është shoqëruar dhe me marrjen e stafit të ri akademik për të mbuluar procesin mësimor brenda parametrave të duhura. Janë më shumë se 30 mijë maturantë, të cilët vetëm këtë vit kanë hedhur aplikimet e tyre për të marrë një degë të caktuar në programet që ofrojnë fakultet e UT-së, por vetëm një pjesë e kufizuar e tyre do të pranohen. Numri më i madh i studentëve të rinj që do të pranohen këtë vit rezulton ta ketë Fakulteti i Ekonomisë, i cili ka propozuar shifrën më të lartë të kuotave për vitin akademik 2009–2010. Provimet me zgjedhje, që janë prova vendimtare në përcaktimin e kandidatëve fitues, do të zhvillohen sot në të gjithë vendin. Ky provim do të zgjasë për rreth 2 orë e gjysmë. Në këtë interval kohor maturantët duhet të japin përgjigjet për rreth 40 pyetje për të dyja lëndët që kanë përzgjedhur. Gara e provimeve për këtë vit përfshin një sërë ndryshimesh për lëndët me zgjedhje. Ndërkohë për akademitë sportive dhe artistike është vendosur të mos zhvillohen provime me zgjedhje. Përjashtim në këtë rast do të bëjë vetëm dega e arkitekturës, e cila do të japë jo vetëm pjesën speciale, por dhe atë të lëndëve me zgjedhje, sepse kërkohet që maturantët që përzgjedhin këtë degë të kenë aftësi edhe në fusha të tjera të domosdoshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›