E Shtunë, 31 Tetor 2026

Afrohet më shumë frika ndaj gripit të derrit

10/07/2009  Deri tani janë analizuar 35 raste të dyshuara

Pavarësisht alarmit, nuk do ketë bllokim të lëvizjes së popullatës

Rreziku i përhapjes së gripit të derrit i është afruar edhe më shumë vendit tonë, madje autoritet shëndetësore pohojnë zyrtarisht se brenda një harku të shkurtër kohor edhe ne mund të përballemi me rastet e para. Prej disa javësh institucionet janë vënë në gjendje alarmi dhe kanë marrë masat për kapjen e hershme të çdo rasti të dyshimtë. Sipas të dhënave që raportohen, deri tani janë kryer analizat për rreth 35 raste të dyshuara, por asnjëra prej tyre deri më sot nuk ka rezultuar të jetë virusi i AH1N1. Shkak për shtimin e frikës janë bërë zbulimet e rasteve të njëpasnjëshme të pacientëve të prekur në vendet fqinje, ku vetëm në Greqi tre prej të prekurve rezultojnë të jenë shtetas shqiptarë. Megjithatë, përballë kësaj frike autoritet kanë bërë të ditur se nuk do të ketë asnjë izolim të lëvizjes së njerëzve drejt shteteve fqinj apo të ardhjes se turistëve apo emigranteve, por situata nuk cilësohet ende alarmante. "Shqipëria rrezikohet si të gjitha vendet e tjera. Deri tani nuk kemi raste të pranisë së virusit në territorin tonë. Sistemi ynë çdo ditë vigjilon. Ne përdorim këtë fjalë mbi mundësinë ose mbi praninë e këtij virusi në vendin tonë. Sigurisht, ne s’mund të jemi një vendi i izoluar, s’mund të jemi një vend i përjashtuar, po fatmirësisht deri tani nuk kemi pasur të prekur”, - ka deklaruar dje zëvendësministri i Shëndetësisë Arben Ivanaj. Një ditë më parë është publikuar plani i masave urgjente që do të aplikohen pranë institucioneve për kapjen e hershme të çdo rasti. Aktualisht pikat kufitare po monitorohen në mënyrë të rreptë nga specialistët e higjienës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›