E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ua kthen dinjitetin

300 krijues, performues të kulturës dhe punonjës të trashëgimisë kulturore tashmë do të kenë kontrata të rregullta pune si dhe stimulim më të mirë material. Nga Alfred Beka më 03 qershor 2011 në ora 16:10

Ministri i Kulturës, Sportit dhe Rinisë Memli Krasniqi organizoi, në Teatrin Kombëtar, një koktej për 300 krijues, performues të kulturës dhe punonjës të trashëgimisë kulturore. Në një fjalim, ministri Krasniqi u shpreh se artistëve dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore po iu kthehet dinjiteti.

“Ishte premtimi dhe zotimi im se, brenda 100 ditëve të para, për krijuesit dhe performuesit e kulturës, si dhe për punëtorët profesionalë të trashëgimisë kulturore, kontratat mbi vepër, të cilat në një mënyrë apo tjetrën e kishin cenuar dinjitetin e këtyre kategorive krijuesish dhe studiuesish, do të zëvendësohen me kontrata të rregullta të punës, gjë që, gjithsesi nënkuptonte edhe stimulimin më të mirë material të tyre si dhe mbrojtje ligjore më të plotë dhe më të dinjitetshme”, tha Krasniqi pas miratimit dhe nënshkrimit të Rregullores për Gradimin dhe Pagat e Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës dhe Punonjësve Profesionalë të Trashëgimisë Kulturore, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Thaçi.

Ministri Krasniqi shtoi se ndjehet shumë i lumtur se një lajm i shumëpritur nga artistët dhe punonjësit tjerë të kulturës tashmë është realitet. “Kjo, në fakt është edhe një dëshmi se Qeveria e Republikës së Kosovës, e në këtë kuadër edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kanë krijuar ndjenjën e fuqishme të përgjegjshmërisë karshi artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore të begatë të vendit tonë dhe se jemi të gatshëm, jo vetëm të sjellim vendime të këtilla të rëndësishme për komunitetin, por, gjithsesi se jemi të gatshëm edhe për reforma strukturore më të thella në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, të cilat mund të na afrojnë edhe më pranë me shoqërinë bashkëkohore evropiane – aty ky pretendojmë dhe ku e kemi vendin edhe ne”, tha ai.

Ndërkaq, Kryeministri Thaçi u shpreh se rregullimi i statusit të tyre është një realitet dhe se përkushtimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk do të ndalet me kaq, për përmirësimin e kushteve për krijuesit dhe studiuesit në kulturë dhe trashëgimi kulturore.

“Ishte një obligim dhe mision të cilit së bashku po ia dalim mbanë”, tha kryeministri, duke shtuar se kultura dhe trashëgimia kulturore janë nevojë jo vetëm e artistëve dhe studiuesve por edhe të gjithë qytetarëve të profesioneve të ndryshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›