E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agim Musta, rrëfim për diktaturën shqiptare në Gjermani

03/06/2011  Thoma Note

Përbëhet prej 54 panelesh, në të cilat janë afishuar më tepër se njëqind fotografi, që paraqesin vendet ku kanë vuajtur dënimin të burgosurit politikë në Shqipëri. Janë mes tyre personalitetet më të shquara të jetës luftës politike në Shqipëri, të cilët kanë vuajtur dhe kanë vdekur në këto burgje, si dhe veprat e ndërtuara me djersën e të burgosurve politikë gjatë viteve të “ndritura” të socializmit.

“Burgjet e shtetit burg” titullohet ekspozita e intelektualit të persekutuar Agim Musta, e cila është çelur më 25 maj në Gjermani.

E përuruar në sallonin e Institutit të Polonisë, në qytetin Leipzig, ekspozita fotografike u hap me iniciativën e deputetes së Bundestagut gjerman, Dr. Anna Kaminsky, e cila para thuajse një viti bëri një vizitë në vendin tonë.

Qyteti i Leipzigut, që dikur i përkiste Gjermanisë Lindore, u bë një nga vatrat kryesore të revoltave popullore, për bashkimin e dy shteteve gjermane, si dhe për shpërbërjen e sistemit të dështuar “socialist”.

Kur Kaminsky erdhi në Tiranë së bashku me një grup historianësh për të vizituar pavijonin e diktaturës në Muzeun Kombëtar u takua me historianin e diktaturës, z. Agim Musta, nëpërmjet trembëdhjetë librave që ka shkruar për këtë temë, si dhe nëpërmjet ekspozitës fotografike të krijuar me punën dhe pasionin e vet për historitë e kalvarit të gjatë të vuajtjeve dhe persekutimit diktatorial.

Ekspozita paraqet veç të tjerash edhe hartën e vendeve, ku ndodheshin burgjet, si dhe një hartë e poligoneve të vdekjes, ku janë ekzekutuar të dënuarit nga regjimi komunist.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitën në Gjermani, e cila ishte organizuar në formën e një bashkëbisedimi, morën pjesë personalitete të ndryshme të jetës social-kulturore të qytetit të Leipzigut, si dhe nga qytete të tjera gjermane. Aktivitetin e nderoi me pjesëmarrjen e saj vet deputetja gjermane, dr. Anna Kaminsky, e cila e ndoqi me vëmendje të veçantë aktivitetin. Aktivitetin u drejtua nga moderatori Marcus Pieper, i ardhur posaçërisht për këtë eveniment nga Berlini. Në krahun e tij të djathtë ndodhej i ftuari i nderit, Agim Musta, shoqëruar prej përkthyesit Aleksandër Reçi. Në podium u ftua gjithashtu Christian Dietrich, një nga aktivistët e parë të lëvizjes opozitare qytetare, i cili ka dhënë ndihmesë të veçantë në krijimin e Arshivës Civile të Leipzigut. Ishin të ftuar gjithashtu, nga Polonia dr. Titus Jaskulowski, ndërsa nga Çekia, zoti Jan Sicha. Pjesëmarrësit u shprehën të emocionuar për faktet tragjike, të publikuara për herë të parë nga sistemi i egër diktatorial në Shqipëri për 45 vjet. Pasi moderatori i aktivitetit paraqiti shkurtimisht biografinë dhe aktivitetin e secilit prej të ftuarve, u drejtoi atyre pyetje të ndryshme, nëpërmjet të cilave u plotësua tabloja e punës që është bërë

në Gjermani, Poloni dhe Çeki për dekomunistizimin e këtyre vendeve.

Në fund, objektivi i z. Pieper u përqendrua te z. Musta, e cili me një elokuencë të habitshme shpalosi para dëgjuesve, më tepër atë se çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë viteve të diktaturës se sa çfarë është bërë për dekomunistizimin për të cilin, sikurse tha, “ka ende shumë për të bërë nga ana e shtetit dhe e vetë shoqërisë shqiptare”.

Pas këtyre bashkëbisedimeve në foltore dolën për të diskutuar mjaft pjesëmarrës nga salla, midis të cilëve edhe dr. Anna Kaminsky.

Në përfundim të diskutimeve, të gjithë u drejtuan drejt pavijonit të ekspozitës “Burgjet e shtetit burg”, e cila ngjalli mjaft diskutime. Në njërën prej dhomave, ngjitur me pavijonin e ekspozitës, historiani i diktaturës Agim Musta iu përgjigj pyetjeve të ndryshme të pjesëmarrësve. Mbështetësit kryesorë të këtij aktiviteti ishin Uwe Schwabe, Michael Wildt dhe Achim Beier.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›