E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Udhëheq PS deri në fund të procesit”

 

Aristir Lumezi

Kreu socialist Edi Rama shfaqi qëndrimin e PS-së në lidhje me afrimin e LSI-së në qeverisje me të djathtën. Në një konferencë për shtyp në selinë rozë, i mbështetur nga grupi i ri i deputetëve, por dhe shumë simpatizantë të mbledhur që duartrokisnin sikur të kishin fituar zgjedhjet, Rama kërkoi të ngrihej mbi rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke e cilësuar veprimin e Ilir Metës si “patericë për qeverinë e Gërdecit”. “Ndërkohë që përpjekja për numërimin e çdo vote opozitare vazhdon dhe jo vetëm Fieri, por mbarë populli opozitar i Shqipërisë ndjek orë pas ore, prej 6 ditësh dhe netësh zhvillimet e një beteje sy më sy të opozitës, me shpurat e ministrave dhe kriminelëve të liruar nga burgjet e Sali Berishës, Ilir Meta nxitoi të bëhej paterica e kryeministrit të rrëzuar, duke e ngritur në këmbë atë që ai vetë e quante deri para 6 ditësh, qeveria e Gërdecit”, u shpreh dje Rama gjatë komunikimit me mediat. Ndërkohë Rama deklaroi se kjo nuk është fjala e tij e fundit për procesin zgjedhor, i cili nuk është përmbyllur ende. Kreu socialist u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, duke e konsideruar paktin mes Metës e Berishës si një oreks të pakontrolluar për pushtet, i cili sipas tij nuk është gatuar sot. “Pas kuintave gjithçka është e mirërregulluar mes kundërshtarësh që janë të tjerë kur janë në lojë dhe partnerë prapa kuintave”, u shpreh Rama. Kreu socialist ka bërë thirrje që ta shikojnë Shqipërinë si atdheun e të gjithë shqiptarëve përtej të majtës e të djathtës, ndërsa theksoi: “Kush mendon se sot më ka dobësuar, duhet ta dijë që më ka bërë më të fortë”.
Dorëheqja
Rama nuk i dha përgjigje të drejtpërdrejtë pyetjes për një dorëheqje të mundshme pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, por shprehu vendosmërinë e tij për të qëndruar në krye të PS-së deri në përfundimin e plotë të procesit zgjedhor. Ai nuk ngurroi të shprehej se PS-ja duke denoncuar bashkëpunimin mes LSI dhe PD bëhet një familje edhe më e madhe. “Unë jam i vendosur që ta udhëheq Partinë Socialiste deri kur procesit zgjedhor t’i vihet pika. Pastaj, unë kam sigurinë dhe bindjen e plotë se kjo është një familje politike, cila di të marrë vendimet e duhura në kohën e duhur dhe pa pikën e dyshimit, është një familje politike që pas pazarit të sotëm, më i neveritshmi pazar i këtyre 18 vjetëve, është më e madhe”, tha Rama gjatë fjalës së tij. Sipas tij, “PS-ja nuk bëhet kurrë për asnjë shesh përshesh dhe kush e përfytyron këtë si pjesë e këtij projekti që tanimë ka dalë në skenë plotësisht përpara shqiptarëve, në funksion të një marrëveshje që nuk është bërë sot, por kohë më parë dhe që na ka dhënë ne të drejtën që t’ju themi shqiptarëve se vota për Ilir Metën është një votë për Sali Berishën, pa asnjë dyshim do të zhgënjehet”. Ai akuzoi Ilir Metën se qëllimi i këtij bashkëpunimi me Sali Berishën është kontrolli i politikës në vend. “Kam dëshiruar të besoj, se në instancë të fundit rezultati do ta detyronte Ilir Metën se sa më shumë një marrëveshje të bërë me Sali Berishën dhe me të tjerë, në emër të marrjes së kontrollit të të gjitha fijeve të interesave përmes marrjes së kontrollit të të gjithë skenës politike në Shqipëri”, tha Rama. Kreu socialist i parapriu dhe një qëndrimi të palëve që do të bashkëqeverisin që të mos e konsiderojnë këtë qeveri si politikë përtej të majtës dhe të djathtës, për të cilën, sipas tij, Ilir Meta ka shfaqur dyshime. “Ja tek i keni ata që deri dje që e konsideronin mëkat të flitej përtej së majtës dhe së djathtës, por përtej së majtës dhe së djathtës është Shqipëria e shqiptarëve dhe shqiptareve që vuajnë për shkak se prej 18 vjetësh u flitet në emër të së majtës dhe së djathtës, për t’i përçarë majtas e djathtas, për t’i ndarë në pjesë e parcela, për t’u marrë votat dhe pastaj për të bërë këtë që u bë sot”, tha Rama.

Argumentet e Ramës

    Ilir Meta nxitoi të bëhej paterica e  Kryeministrit të rrëzuar     83 mijë zemra opozitare që votuan LSI u trafikuan nga Ilir Meta me Sali Berishën     Qytetarët që votuan Ilir Metën në 28 qershor nuk duhet të ndihen vetëm     Ilir Meta kapërceu dhe fenomenin Xhuveli     Bashkimi PD-LSI, pjesë e politikës së vjetër që duhet eliminuar     Qëllimi i qeverisë së re për marrjen e kontrollit të të gjitha fijeve të interesave në Shqipëri     Për shkak të një oreksi të pakontrollueshëm për pushtet dhe për kontroll mbi kanale interesash të drejtpërdrejta financiare

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›