E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdanoviq: Heqja e targave serbe e papranueshme

Është e papranueshme që pjesëtarët e EULEX-it në bashkëpunim me Prishtinën të heqin targat serbe të qyteteve të Kosovës, sepse EULEX-i duhet t’i përmbahet Rezolutës 1244 të KB-së dhe të jetë neutral.

Kështu është shprehur i ashtuquajturi ministër serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, të premten në Leshak në veri të Kosovës, gjatë një inaugurimi të një salle sportive të shkollës fillore “Stane Baçanin”.

Sipas tij, delegacioni serb gjatë negociatave në Bruksel pati marrë garanci nga Robert Cooper që për shkak të situatës specifike në veri të Kosovës, të mos detyrohen serbët të përdorin targat e Kosovës nëpër automjetet e tyre në këto zona.

Ai ka theksuar se tensionet janë të papranueshme, ngase serbët nuk dëshirojnë gjakderdhje dhe konflikt as me Prishtinën dhe as me Bashkësinë Ndërkombëtare.

Bogdanoviq duke i dhënë mbështetje protestave të sotme të serbëve në pikat kufitare, ka shtuar se Beogradi zyrtar mbështetë të gjitha protestat të organizuara në mënyrë të qetë dhe demokratike.

“Serbët e veriut gjithmonë do të kenë përkrahjen e Serbisë kur është në pyetje mbrojtja e Kosovës me mjete paqësore dhe demokratike”, ka thënë Bogdanoviq, duke shtuar se pala serbe dëshiron një kompromis dhe zgjidhje afatgjate të gjendjes në veri të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›