E Shtunë, 31 Tetor 2026

Udhëtim në Shqipërinë e Blushit

AGRON GJEKMARKAJ

Me romanin Shqipëria Ben Blushi ka personalizuar më tej stilin e tij: një stil pa mbipeshë, i drejtpërdrejtë dhe intrigues. Me të tretin libër ai përvijohet si një nga zërat më të diskutuar të letërsisë bashkëkohore shqiptare.
Blushi e rimerr të kaluarën në funksion të së ardhmes, gjë e lejueshme kjo nga vetë ligjësitë e fiksionit letrar dhe kështu deklamon një karakteristikë themelore të letërsisë së tij. Tema e zgjedhur, më globalja e kozmosit shqiptar, d.m.th. vetë Shqipëria, e ka vënë autorin në qendër të një debati me adhurues dhe kritikë.
Shkrimtari amerikan Paul Auster thotë: Janë shumë botë, e të gjitha paralelisht gjinden njëra te tjetra, botë e antibotë, botë e hije, e çdo botë është ëndërruar, imagjinuar ose shkruar nga ndonjëri i një bote tjetër. Kështu edhe Blushi nga bota e vet është zhytur në rropullinë e botëve të kryqëzuara, nga ku ka nxjerrë Shqipërinë, me ambicien e bërjes së librit shestues të mistereve, dilemave, kontradiktave dhe ngecjeve të saj që vërtiten si trazim i aktualitetit dhe mjegullnajë për horizontin e pritjes.
Romani është një galeri portretesh dhe karikaturash që ndërrojnë vendet sa herë misteri i besimit dhe blasfemia alternohen, sa herë që historia ndërron regjistër dhe kumt brenda subjektit.
Karakteri i tekstit në dukje është epik, një epizëm që tenton të përballet jo vetëm me enigmat e një vendi, por me vetë të keqën e tij historike e ekzistenciale, e në përballjen e dytë teksti merr  karakterin e analizës psikologjike.
Lek Dukagjini dhe Zoti, Shqipëria dhe personazhet likurgiane, në mes Enveri dhe Mehmeti, Shtuni, David Blunata, Zed Komneni, Dielli, Hëna, Vera etj. të vendosur në një botë imagjinare realizojnë metaforën e problemeve shqiptare, të njeriut shqiptar.
Një mentalitet tradicional dhe totalitar shfaqet si marrëdhënie mes individit të fortë dhe turmës pa identitet, vendimmarrjes së gjithëpushtetshme dhe nënshtrimit të verbër, egos dhunuese dhe bindjes servile, moralitetit e imoralitetit, burrërisë së egër e erotizmit të unshëm, altruizmit e egërsisë, dëshirës për origjinalitet dhe shkimjes në banalitet.
Brenda skajesh të tilla shfaqet Utopia shqiptare. Ajo ka formën e çudisë, të origjinalitetit që do çmerisë gjindjen në fillesë, për të përfunduar si marri tragjike në fundin e saj eksperimentues. Utopia shfaqet si narcizëm racor e si diktaturë ideologjike me mjet realizues dhunën, me gjuhë komunikimi urdhrin, me gjeografi izolimin, përkundrejt cilësisë primordiale të njeriut, lirisë universale.
Të gjitha këto nëntema janë skeleti i Shqipërisë së Blushit, të shprehura metaforikisht nga një kompleksitet konsideratash, hulumtimesh, kulture albanologjike klasike të rindërtuar letrarisht.
Natyra e subjektit jo linear të jep mundësinë të shquash imazhe e zëra si derivat i marrëdhënies ekzistenciale DukagjiniZoti (si provë force, tentimi i njeriut shqiptar i rezulton i pakufi) në dukje të ngjashëm, por në fakt tejet të ndryshëm si përfaqësues epokash.
Për ta rrokur lëndën në tërësinë e tij, lexuesit i nevojiten ndalesa për të marrë frymë e të mos humbasë fillin, densiteti i rrëfimit dhe lënda e servirur ia imponojnë këtë.
Nëpërmjet Shqipërisë Blushi rezulton disi moralist, ndonëse teksti hera-herës duket si zhbërës i një morali të caktuar. Ai na fton të lexojmë me qasje kritike e krijuese historinë tonë, se në të gjinden shpjegimet. Personazhi mbi të cilin gjallnon libri, Lek Dukagjini, i zhveshur nga çdo referencë historike, vjen i rindërtuar në letërsi, ndoshta nga fama e Kanunit prej të cilit me gjasë autori është i prirur negativisht. Perceptimi personal për këtë kodifikim ligjor të princit mesjetar si emblemë e një mendësie, si dhe bota rreth tij i shfaqen Blushit si nyja gordiane, e cila duhet prerë dhe nga ku del një parabolë ekzistenciale.
Ajo tenton të përfshijë historinë e vogël të individit në kontekstin e shoqërisë dhe të historisë së saj, duke ndërtuar kështu itinerarin e udhëtimit të shqiptarit në kohë, gjë që e realizon duke e pozicionuar shkrimtarin-narrator në qendër të këtij udhëtimi narrativ si dekonstruktor i hipokrizisë me të cilën fshihen dështimet kolektive e personale të shqiptarit.
Blushi, me aftësi fabuleske në rrafsh letrar, ndërton realitetin e brendshëm të individit të cenuar frikshëm në humanizmin e tij, realitetin kontradiktor e plot zona të errëta të një populli.
Northrop Frye, në të famshmen Anatomy of Criticism, shkruan se: Parakushti i narracionit letrar qëndron në kompromisin që shkrimtari ndërton me lexuesin e tij. Fakt themelor i palëkundshëm i letërsisë nuk është sipas Frye-t vërtetësia, por mbi të gjitha pika e takimit, produkti që rrjedh nga pranimi i këtij kompromisi.
Blushi e shfrytëzon në maksimum këtë privilegj dhe ndaj e injoron realitetin. Parimin e vërtetësisë nuk e ka aspak qëllim të letërsisë së tij. Mikrobi i ironisë është prezent në të rrëfyer dhe shërbestar për dikotominë e asaj çka aspiron dhe asaj që rrëfen. Në disa pasazhe lexuesi gjendet në vështirësi për të kuptuar nëse ka të bëjë me naivitet gjenuin apo filozofi sentenciale të shprehur me fjali të shkurtra tipike.
Gjithmonë pasi lexon një libër ka diçka që nuk mundesh, nuk di, nuk do, nuk të lejohet, diç të pengon apo të gjitha bashkë që ta thuash apo përkufizosh. Nuk, pse, si? Pa e kuptuar, në fund të udhëtimit tim në Shqipërinë e Blushit kisha filluar të them vetë me vete vargjet e Kadaresë te Viti i Mbrapshtë:

Për Xhenet u nisëm, sosëm në Xhehnem
Shqipëri moj kuçkë çna bërë verem,
Thuaj sikter Europës si den baba den,
Shqipëri moj kuçkë çna bëre verem

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›