E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rilindja e nervozizmit

LUÇIANO BOÇI

U desh votimi për anëtarin e KLD, që në Parlamentin shqiptar të riktheheshin skenat e pushtimit të foltores, të sharjeve dhe madje dhe kamerave-telefon të improvizuara me shumë pasion nga deputetët e majtë.
Zhurma e bërë atë ditë, për një procedurë e cila konsiderohet brenda Rregullores si ekstra dhe që u iniciua si e aplikueshme dhe e pranueshme nga maxhoranca, vetëm për hir të ruajtjes së klimës së konsensusit dhe të bashkëpunimit, e cila u pengua me ndërgjegje të plotë nga opozita, nuk është asgjë përballë tymit që kërkon të shpërndajë këto ditë lidershipi i PS.
Thirrjet e tyre të inskenuara për bojkot apo marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin, por që çuditërisht kësaj radhe u sfumuan nga babaxhanlliku i pafajshëm i Ramës, tregojnë qartazi amoralitetin politik të një opozite, e cila kërkon të tensionojë, në çdo kohë dhe me çdo mjet, një klimë e cila është përcaktuar ndërkombëtarisht, gjithmonë, si parakusht i statusit.
E vetmja gjë jo e çuditshme në këtë atmosferë post-votim, ishte deklarata e Ramës, i cili rezultatin në favor të kandidatit të propozuar nga PD, e quajti si fitore politike të tijën. Si gjithmonë, Rama humbjet reale të çdo forme zgjedhore i percepton dhe i interpreton si fitore. Kjo, ose sepse nuk shërohet dot nga sindroma e kundërshtimit infantil, ose këtë e bën për ti dhënë kurajë vetes. Dhe në fakt ndër këto të dyja, kjo e fundit do të ishte dhe më e bukur.
I gjithë ky shpërthim, i cili mbart nota të forta përllogaritjeje me sens negativ, vjen pas një gjendjeje disi të qetë, të karakterizuar nga bashkëpunime reformatore, midis aktorëve politikë, të reflektuara si në aspektin rregullator të Parlamentit, ashtu dhe në atë të Kodit Zgjedhor, të cilat, me gjithë vështirësitë, kishin filluar të merrnin duartrokitjet e para nga opinioni kombëtar dhe ai ndërkombëtar.
Dhe këtu asgjë nuk është e rastit, pasi Rama nuk mund të veshë dot një kostum, i cili i rri shumë ngushtë, si ai i bashkëpunimit për interesa kombëtarë. Prandaj për të rigjetur rehatin e tij të përplasjes, shfrytëzoi këtë garë, pasi shtyrja në infinit e votimit të Gjykatës Administrative ende nuk po e nervozonte maxhorancën dhe nuk po i sillte atij atë efekt të dëshiruar antipolitik.
Për të bërë diversionin e radhës, ai harroi me dashje të bënte konkursin sfilator, të cilin e promovoi dhe si normë brenda partisë së tij, për një kandidaturë alternative. Zgjodhi me urgjencë një kandidat, i cili kishte afinitet me një pjesë të koalicionit dhe që rikthente dhe një herë në qendër të opinionit publik çështjen e nxehtë të Gërdecit, pavarësisht se në cilin drejtim. Absurditeti dhe diabolizmi politik kërkuan të shfrytëzonin në këtë mënyrë profesionalizmin.
Produkti i gjithë kësaj amalgame ishte Rilindja dhe rikthimi në sytë e opinionit të një nervozizmi ekstrem, i mbarsur si refleksion ndaj suksesit të pritshëm për marrjen e statutit, i cili dëshmon mungesën e qartësisë politike të një opozite në kaos të plotë perspektiv. Por ajo që e nervozoi më shumë Ramën, pas arritjes së ringjalljes së nervozizmit, si domosdoshmëri ekzistence të tij, ishte rezultati elektronik me 71 vota. Dëshira e shfrenuar e tij për të deklamuar tezën e pavërtetë të mospasjes së votave qeverisëse, mori goditjen e radhës, pavarësisht se mosvotimin e disa deputetëve të koalicionit, për arsye të mosdetyrimit politik dhe për arsye të respektimit të opinioneve normale demokratike personale, ai u mundua ta interpretojë çuditërisht si çarje të një koalicioni, i cili realisht vazhdon të ruajë kohezionin dhe soliditetin e tij efektiv. Rilindja e këtij nervozizmi është një ndër etapat që ai ka shpalosur për ne shqiptarët, si program për rikthim në të kaluarën dhe që me siguri e udhëzon atë drejt humbjeve-fitore të radhës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›