“Udhëtim përmes tingujve”, koncert në skenën e teatrit të Korçës

Mbrëmja muzikore e mbajtur këtë fundjavë në teatrin “Andon Zako Çajupi” solli një udhëtim të vërtetë emocional për publikun artdashës korçar.
Koncerti “Udhëtim përmes Tingujve”, organizuar nga Bashkia Korçë dhe Qendra e Artit dhe Kulturës, u zhvillua në një sallë të mbushur plot, ku muzika klasike mori jetë përmes interpretimit të artistëve të njohur.
Programi përfshiu vepra të kompozitorëve të mëdhenj si Bach, Rossini dhe Papadhimitri, ndërsa interpretimi i tyre u mirëprit me duartrokitje të gjata nga publiku.
“Është koncerti i dytë që zhvillojmë me kolegët e shkollës “Tefta Tashko”. Normalisht është zhanri më i vështirë në kuartet, sepse secili luan pjesën e tij solistike dhe duhet të koordinohet me pjesën tjetër të grupit”, tha Ilir Zguri, kontrabas.
“Shumë e emocionuar dhe shumë kënaqësi të performojë përsëri për publikun korçar. Uroj që të shihemi edhe në koncerte të tjera”, tha Iris Myrtollari, violinë.
Koncerti erdhi si një tjetër dëshmi e angazhimit të Bashkisë Korçë për promovimin e artit dhe kulturës, duke sjellë në skenë artistë të përzgjedhur dhe një program të niveleve të larta artistike.
Gazetare Eftjola Fili
/rtsh.al/