Elbasani përcjell festivalin e teatrove
Përfundon në Elbasan Festivali i 10 Ndërkombëtar i Teatrove. Teatri "Skampa" i Elbasanit, tashmë e ka kthyer në një traditë të përvitshme festivalin në fjalë, i cili me gjithë peripecitë financiare ka rezultuar i suksesshëm. Për regjisorin e këtij festivali teatror, Adonis Filipi, ky aktivitet nuk i ka zhgënjyer pritshmëritë jo vetëm të organizatorëve, por edhe të publikut. Elbasanasit e kanë ndjekur me mjaft interes festivalin në fjalë. Prej publikut, Festivali Ndërkombëtar i Teatrove në Elbasan është vlerësuar si mjaft serioz. Organizimi dhe trupat pjesëmarrëse janë duartrokitur prej elbasanasve, të cilët duket se janë kthyer në ndjekës të rregullt të kësaj tradite teatrore. Përveç artistëve pjesëmarrës, festivali është ndjekur me mjaft interes edhe nga artistë me emër të skenës e ekranit shqiptar. Ata, jo vetëm që kanë ndjekur shfaqjet, por edhe kanë dhënë mendimet e tyre, duke u kthyer në këtë mënyrë në kritikët më të zgjedhur të festivalit. Festivali ka nisur me shfaqjen e trupës malazeze, e cila shënoi një sukses të vërtetë në skenë. Ata u shfaqën para publikut me "Medean" e Euripidit, duke e sjellë atë në një version më modern, me regji të Slobodan Milatoviç. Teatri i Zvicrës dhe Italisë sollën shfaqjen e titulluar "Pse, pse", me regji të Peter Brook. Ky i fundit, pavarësisht kërkesave, nuk mori pjesë në festival. Regjisori Dejan Projkovski erdhi në festival me trupën maqedonase për të prezantuar pjesën "Gjithandej", ndërsa Teatri i Austrisë solli "Origjinë e panjohur" me regji të Klaus Seewald. "Dodona", teatri i Prishtinës, u prezantua me "Kopshti zoologjik", me regji të Plakoollit, ndërsa Teatri i Rumanisë shfaqi pjesën "Dashuria të dërgon fishekun e fundit". Regjisori italian, Karlo Bruno, dhe aktorët italianë paraqitën shfaqjen "Leksion pianoje". Vetë teatri mikpritës "Skampa" u prezantua me pjesën "Dasma", nën regjinë e Erand Sojlit. "Allegretto Albania" me regji të Altin Bashës, përfaqësoi në festival Teatrin Kombëtar të Tiranës. Trupa e Fierit me "Pushtet" erdhi në Elbasan me regji të Adonis Filipit, ndërsa teatri "Migjeni" i Shkodrës, me regji të Stefan Çapalikut, prezantuan shfaqjen "Putargat e thata".