E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD përçahet pas shkarkimit të Biberajt

>Reagojnë zyrtarët të PD-së. Mustafaj, Topalli gaboi dy herë
Në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të qershorit, në gjirin e së djathtës  lind një tjetër kontradiktë.  Kjo kontradiktë në gjirin e mazhorancës është krijuar nga veprimi i fundit i kryetares së  Kuvendit, Jozefina Topalli,  e cila ka kërkuar shkarkimin e  Aleksandër Biberajt nga delegacioni shqiptar në Këshillin e Europës. Veprimi i fundit i kryetares së Parlamentit tregon  qartë se PD po ndahet gjithnjë e më shumë në dy pole interesash brendapartiakë, atë Topi-Berisha. Kjo çarje, e ardhur si pasojë e kritikave ndaj kryeministrit Berisha si dhe nga  mosdekretimi i disa ligjeve, nga presidenti Topi, ka vënë të djathtët në dy fronte të ndryshme. Sipas burimeve brenda PD-së, me afrimin e zgjedhjeve, Berisha po kërkon të bëjë lavazhin e fundit të figurave të partisë dhe zyrtarëve të institucioneve të rëndësishëm të shtetit për ta pasur sa më të lehtë pengimin e zgjerimit të  lobingut Topi, për arsye pushteti. Pas luftës ndaj kryeprokurores Ina Rama, atë ndaj Topit, dora e hekurt e Berishës  dhe e Topallit tashmë po bie edhe tek zyrtarët e lartë që përfaqësojnë vendin në instancat ndërkombëtare. Përveç hendekut brenda mazhorancës, shkarkimi i zv/presidentit  të Asamblesë Parlamentare të KE-së shkaktoi reagime të rënda jo vetëm nga opozita, por edhe nga vetë zyrtarë të së djathtës. Ky vendim i pamenduar mirë i kryeparlamentares, i cili në pamje të parë  u duk thjeshtë një procedurë e radhës e punës së saj, mori papritur kthesën e vet duke e vënë edhe njëherë Shqipërinë përballë syrit gjykues e vëzhgues nga të huajt në prag të afrimit në NATO  dhe BE. Kështu që modelit të përplasjes së qeverisë me institucionet si dhe figurës së ulët në raport me partnerët ndërkombëtarë i shtohet edhe ky rast, ku Partia Demokratike merr një tjetër goditje të rëndë duke sjellë ndarje dhe hendeqe të tjera. Ish-Ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj, i cili ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga zërat më kritikë të qeverisë Berisha është shprehur ashpër ndaj vendimit arbitrar dhe politik  të Topallit. Dëshiroj ti shpreh kolegut Biberaj solidaritetin tim. Në historinë e përjashtimit të tij nga delegacioni i Kuvendit tonë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Kryetarja Topalli ka shkelur dy herë detyrimet e saj funksionale. Së pari, kur nuk i ka paguar deputetit Biberaj shpenzimet e udhëtimit për të kryer misionin e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, mision për të cilim ne e kemi mandatuar. Dhe së dyti, zonja Topalli ka shkelur rregulloren e Kuvendit kur e ka bërë fakt të kryer përjashtimin  e Zotit Biberaj nga delegacioni pa e paraqitur më parë në seancë plenare, është shprehur në një deklaratë për mediat Besnik Mustafaj. Ndërsa me tone më të zbutura dhe moderatore ka reaguar ministri i Mbrojtjes,  Gazmend Oketa, i cili nuk e ka përjashtuar mundësinë  e anashkalimit të këtij momenti pa pasoja. Ai ka vlerësuar me nota të larta punën e Biberajt në KE dhe shpreh mendimin se asgjë nuk e eklipson përpjekjen e tij për të mirën e Shqipërisë. Ndërkohë Asambleja e Përgjithshme Parlamentare e KE -së ka ngrirë  kredencialet e delegacionit shqiptar. Vendimi është propozuar nga kryetari i grupit liberal i kësaj asambleje. Është paralajmëruar gjithashtu edhe një vizitë rrufe në Tiranë e dy  bashkëraportuesve të KE-së për Shqipërinë. Megjithatë, zëvendësimi i papritur i Biberajt me Ilir Rusmajlin dëshmon edhe njëherë faktin e pakundërshtueshëm se klani Berisha-Topalli kërkon të çojë deri në fund misionin zëvendësimin të  figurave politike me disa të tjera më afër vetes. Filozofia e përjashtimit, tashmë edhe me rastin e Biberajt, vazhdon të krijojë çarje  të tjera dhe padyshim pasojat e saj do të jenë më të rënda me afrimin e zgjedhjeve. Por çështja Biberaj nuk është një rast i shkëputur pasi kjo luftë e klanit Berisha ndaj institucioneve dhe njerëzve të tij e ka shoqëruar PD-në që nga marrja e pushtetin në 2005. Ndarja më e madhe institucionale  ishte beteja ndaj Presidentit Topi për ligjin e Kufizimin e kompetencave të presidentit çka solli dhe reagime të ashpra dhe frikë për rënien e vendit në autokraci dhe për mungesë demokracie. Disa muaj më parë, një tjetër përpjekje e paprecedent e kryeministrit Berisha, ishte dhe përplasja institucionale me kryeprokuroren Ina Rama, përplasje e cila i përfshiu palët në debate tejet të ashpra duke sjellë edhe shqetësimin e partnerëve ndërkombëtarë. Ishin pikërisht ndërkombëtarët,  të cilët me ndërhyrjen e tyre sheshuan mosmarrëveshjet, të shqetësuar për demokracinë në vend. Por historiku i ndarjeve dhe i polemikave brenda së djathtës është shumë i pasur. Vlen të kujtojmë mosmarrëveshjet për emërimin e ambasadorëve, ato për kodin zgjedhor apo edhe për ligjin e dosjeve, për të kuptuar se çështja Biberaj është stacioni tjetër  ku PD ka ndaluar në përpjekje për të vendosur fatin e figurave të saj politike, për ti afruar  apo për ti larguar. Ndërsa ajo që po ndodh sot me figurat e saj tregon edhe njëherë se në gjirin e PD  ka një krisje të madhe, e cila vjen në prag të zgjedhjeve dhe do të ketë një kosto të rëndë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›