E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Çështja patriotike, jo politike

23/10/2009  Për kreun socialist transparenca mbi paktin detar me Greqinë është me rëndësi

“Marrëveshja kërkon një gjykim suprem, të paanshëm e të bazuar në ekspertizë të mirëfilltë”

“Marrëveshja për kufijtë detar kërkon një gjykim suprem, të paanshëm e të bazuar në ekspertizë të mirëfilltë, gjë që mund ta bëjë krejt qetësisht dhe jashtë çdo lloj ndikimi Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë”, - kështu u është kundërpërgjigjur dje kreu socialist Edi Rama të gjitha deklaratave që kanë kritikuar ankimimin e kësaj marrëveshje në Kushtetuese. Përfshirë këtu dhe qëndrimet e deklaruara nga mediet greke. Kështu, kryetari i PS-së gjatë një konference për shtyp u fokusua dhe në një çështje të tillë, duke e cilësuar atë si një çështje patriotike. “Ky nuk është politizim i një çështjeje kombëtare, por është një qëndrim patriotik dhe qytetar për një çështje kombëtare, duke bërë të mundur qoftë transparencën lidhur me çështjen dhe nga ana tjetër duke garantuar të kundërtën e politizimit”, - vuri në dukje Rama, duke këmbëngulur kësisoj në rëndësinë e transparencës mbi një çështje të tillë. Në fillim të kësaj jave Partia Socialiste zyrtarizoi

përmes ankimimit në Kushtetuese qëndrimin e saj kundër paktit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ankesa e firmosur nga gjashtë parti politike u depozitua më datën 20 tetor në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar prej këtij institucioni një kontroll paraprak të kushtetutshmërisë së marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve. Përmes ankimimit partitë të dy kaheve politike kërkojnë shqyrtimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Ndërkohë në argumentet që sjellin në këtë ankesë për shkaqet që shtyjnë në verifikimin paraprak nga ana e Gjykatës Kushtetuese të kësaj marrëveshje veçohen mangësitë e dukshme në ushtrimin e kujdesit të duhur në mbrojtjen e interesave më të qenësishme të shtetit shqiptar, siç është kufiri i shtetit, nga ana e Këshillit të Ministrave, pushteti i vetëm që autorizon Kushtetuta të negociojë, hartojë apo adoptojë marrëveshje ndërkombëtare. Në gjykimin e përfaqësuesve ligjorë të Partisë Socialiste, e cila ishte iniciatore e një nisme të tillë, këto mangësi përveç elementeve të keqqeverisjes mund të prekin edhe dispozitat kushtetuese, siç është neni 3 i Kushtetutës dhe ku një nga detyrat themelore të shtetit është mbrojtja e tërësisë territoriale. Gjithashtu nga kontrolli paraprak i kushtetutshmërisë së kësaj marrëveshje ndër të tjera synohet qartësimi i çdo lloj dyshimi që mund të përbëjë në çdo rast sot e në të ardhmen mundësi abuzimi në cenim të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ndërmjet vendit tonë dhe fqinjëve tanë.

Rama vijon replikat në distancë me Kryeministrin Berisha

“Hetimi i zgjedhjeve është kërkesë legjitime”

Për socialistët një hap i tillë nuk synon rrëzimin e vendimit të gjyqësorit

Replikat në distancë mes Kryeministrit Berisha dhe kreut socialist Rama për hetimin parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit ishin prezentë dhe gjatë ditës së djeshme. Kështu, menjëherë pas deklaratës së kreut të ekzekutivit mbi kërkesën e socialistëve lidhur me këtë çështje erdhi dhe kundërpërgjigja e kryetarit të PS-së. “Besoj se e ndoqët rikthimin e Sali Berishës te kutitë. Ky rikthim i shpeshtë më kujton atë shprehjen se krimineli kthehet gjithmonë te vendi i krimit. Dëshiroj të përsëris se Sali Berisha bën një spekulim flagrant kur tenton ta justifikojë mbajtjen peng të kutive të 28 qershorit me argumentin se kërkesa e opozitës i bie ndesh sistemit të drejtësisë”, - vlerësoi Rama gjatë fjalës së tij në konferencën për shtyp. Sipas tij, kërkesa e opozitës nuk ka asnjë lidhje me procesin e ankimimit dhe gjykimit të të gjitha atyre çështjeve që kanë pasur të bëjnë me KQZ-në dhe me Kolegjin Zgjedhor, por është një kërkesë që është tërësisht në konformitet të plotë me të drejtën kushtetuese, demokratike dhe të patjetërsueshme të Parlamentit për të bërë transparencë mbi çdo çështje të veçantë që shihet e udhës nga një grup deputetësh për të hetuar. “Ajo që ne na intereson dhe ajo që i intereson vendit është transparenca. Ne kërkojmë transparencën e këtij procesi zgjedhor, që do të jetë i fundit në zinxhirin e proceseve zgjedhore të deformuara dhe të kontestuara. Ne e kërkojmë transparencën për tu ndarë një herë e mirë nga një traditë e mbrapshtë, që më 28 qershor arriti kulmin e deformimit dhe sofistikimit”, - deklaroi Rama gjatë fjalës së tij. Njëkohësisht, po në të njëjtën linjë, kreu socialist sqaroi se “kërkojmë transparencë të plotë për të kthyer besimin te vota dhe te zgjedhjet për shqiptarët e shqiptaret, që në shumicë dërrmuese e kanë humbur këtë besim pikërisht për shkak të 28 qershorit”. Ndërkohë, ndalur në zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit, Rama u shpreh se “këto janë zgjedhje ku të sapomartuarit do të ndajnë sipas qejfit të tyre një proces që për ne është një farsë, që për ne është krejtësisht jashtë çdo lloj mundësie për tu quajtur proces normal. Është vetëm një zgjatim i procesit të dështuar të 28 qershorit, me të vetmin ndryshim se ai që bërtiti më shumë më 28 qershor u bë nuse”.

Leska për progresraportin

“PS-ja kërkon respektimin e ndarjes së pushteteve dhe të rregullave të funksionimit të Parlamentit, kërkon reflektim të thellë mbi rekomandimet e progresraportit të BE-së, zbatimin e ligjit lidhur me transparencën e buxhetit dhe rregullat e brendshme financiare dhe procedurat e rekrutimit të administratës për të rritur kapacitetet e saj, rritjen e rolit të Parlamentit në monitorimin e zbatimit të MSA-së dhe nevojën e dialogut politik, si një prioritet i partnershipit europian.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›