Uithers: Zgjidhja e krizës vetëm në Parlament
26/03/2010 Ambasadori i SHBA-ve, Xhon Uithers, kërkoi nga klasa politike vazhdimin e diskutimeve për zgjidhjen e krizës në Parlament. Në një deklaratë për shtyp, pak kohë përpara se të nisin punimet parlamentare, ambasadori i SHBA-ve vlerësoi se “kemi ndjekur me kujdes diskutimet në Parlament mbi situatën politike shqiptare. Shprehim keqardhjen që deri më sot nuk është arritur asnjë zgjidhje për krizën e tanishme”. Madje, po në këtë linjë, Uithers nënvizoi se “nxisim të gjitha palët të vazhdojnë të punojnë brenda Parlamentit për të zgjidhur dallimet që kanë me anë të dialogut dhe kompromisit. Toni i diskutimeve duhet të përqendrohet mbi gjetjen e pikave të përbashkëta dhe jo mbi arritjet partiake”. Sipas tij, seancat parlamentare të 18 dhe 19 marsit nuk sollën asnjë rezultat dhe ky është një shqetësim i ngritur dhe nga ambasadorë të tjerë të huaj në Shqipëri. “Ndajmë shqetësimet e kolegëve tanë të OSBE-së dhe BE-së që sesioni plenar i 18-19 marsit ishte i padobishëm. Veprimet e njëanshme nga cilado palë nuk mund as të zgjidhin ngërçin aktual dhe as të çojnë përpara axhendën euroatlantike të vendit”, u shpreh Uithers.