E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria pro anëtarësimit të vendeve të rajonit

26/03/2010 Zgjerimi i NATO-s

Shqipëria mbështet zgjerimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) me vendet e tjera të Ballkanit. Mesazhin e ka dhënë dje ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, gjatë konferencës “NATO, Koncepti i ri strategjik dhe Shqipëria”. Vendi ynë, si anëtar me të drejta të plota të NATO-s, ka të drejtën për të bërë propozime konkrete në lidhje me strategjinë e zgjerimit. Për ministrin e Mbrojtjes, diskutimi mbi Konceptin e ri strategjik të NATO-s është domosdoshmëri dhe nevojë pas transformimeve të thella që kanë ndodhur gjatë dekadës së fundit, siç është zgjerimi i NATO-s, kërcënimet e reja në fushën e sigurisë dhe lufta kundër terrorizmit. Ai ka vlerësuar si të rëndësishëm trajtimin e raporteve të NATO-s me Rusinë, për politikën e dyerve të hapura, për pranimin në Aleancë edhe të vendeve të tjera, duke përfshirë edhe Kosovën. Në qëndrimin politik të vendit tonë, shprehet vullneti që Aleancës t’i bashkohen 4 vendet e tjera, Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Shqipëria dhe Kroacia ishin dy vendet me të reja që u bënë pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut në prill të vitit 2008. Në atë kohë ishte vendosur që edhe Maqedonia të bëhej anëtare e Aleancës, por konflikti i saj me Greqinë, për shkak të emrit të saj, nuk bëri të mundur që kjo gjë të realizohej. Gjatë konferencës, ministri Imami u ndal në mënyrë të veçantë tek roli dhe misioni në “arkitekturën e re” të sigurisë ndërkombëtare. Në këtë kontekst, ai foli për raportet mes NATO-s dhe BE-së, si struktura bashkëpunuese dhe jo konkurruese në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe të sigurisë. Sipas tij, ato duhet të koordinojnë përpjekjet në zhvillimin e kapaciteteve duke evituar dublikimet, për të siguruar efektivitet operacional më të lartë. Për sa i përket partneritetit, Imami u shpreh se Aleanca është e angazhuar dhe pritet të angazhohet në operacione në largësi strategjike globale. Kjo kërkon që NATO të ndërtojë partneritete të qëndrueshme me demokracitë përtej bashkësisë Euro-Atlantike, me partnerë dhe vende me të cilat Aleanca ndan vlera të përbashkëta si Australia, Japonia, Zelanda e Re, etj. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë konferencës u trajtuan çështje të rëndësishme, si: perspektiva shqiptare mbi mjedisin e sigurisë globale, rajonale dhe kombëtare, në dekadën e dytë të shekullit XXI dhe qëndrimi i Shqipërisë për zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›