E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: Të hiqet imuniteti i zyrtarëve



Ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, deklaroi dje se duhet të hiqet imuniteti i zyrtarëve në mënyrë që drejtësia të mos ketë asnjë pengesë për hetimin ndaj tyre. Duke cituar zëvendëssekretarin për Evropën në Departamentin Amerikan të Shtetit, Withers, ka bërë të qartë se SHBA-ja e kërkon një gjë të tillë dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve të drejtësia. “Inkurajojmë qeverinë shqiptare për të rritur mbështetjen e saj për institucionet e pavarura gjyqësore e prokurorinë dhe heqjen e imunitetit në raste përkatëse. Imuniteti nuk duhet të cenojë perceptimin e publikut për sistemin politik e gjyqësor. Imuniteti nuk duhet të sigurojë një strehë për ata që përballen me masa ligjore, që janë në ndjekje. Nuk duhet të jetë një mundësi për të mbrojtur fajtorët dhe për t'i mbajtur ata në pozita drejtuese. Mbështesim e duartrokasim pikëpamjen e Berishës për këtë çështje, shpresojmë që qëllimet e tij të bëhen realitet në të ardhmen e ardhshme”, - deklaroi ambasadori. Në këtë deklarata ambasadori amerikan tha se Shqipëria ndodhet në një faze të re të zhvillimit të saj, ndaj dhe imuniteti i zyrtarëve duhet hequr. “Të mos fshihesh pas petkut të ligjit për të mbrojtur interesat personale, të gjithë e dimë që këto dispozita hynë në fuqi në fazat e hershme të zhvillimit demokratik në Shqipëri, ku nevoja për të mbrojtur këta zyrtarë nga abuzimet e qëllimshme penale, justifikonte dhënien e plotë të imunitetit. Tashmë Shqipëria ka bërë përparime dhe duhet ta vërë në peshore këtë”, - deklaroi më tej ambasadori Withers. Nga ana tjetër, ai tha se “personat që janë emëruar të drejtojnë, duhet të përmbushin detyrën me integritet, pasi veprimet e tyre qofshin të drejtpërdrejta apo jo, ndikojnë në jetën e qytetarëve”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›