E Martë, 3 Nëntor 2026

Ujërat e zeza në lumin Buna/ Biologia: Po dëmtohet ekosistemi dhe po zhduken flora dhe fauna

Qytetarët shkodranë përballen çdo ditë me pamje jo të bukura kur kalojnë pranë shëtitores së molos,  në afërsi të Urës së Vjetër të Bunës ku derdhen në lum ujërat e zeza të qytetit.

Fenomeni  i ujërave të zeza pranë lumit Buna është i hershëm dhe nuk po merr zgjidhje. Me situatën e krijuar aktualisht, një sipërfaqe e konsiderueshme është kthyer në një moçal të vërtetë, ku gjen gjithçka ndotëse.

Biologia njëherësh ambjentalistja, Aurora Piroviç thotë se shkarkimi u ujërave të zeza të qytetit përveçse është duke dëmtuar ekosistemin po ndikon në zhdukjen e florës dhe faunës në liqen.

“Përbën një problem të madh mjedisor, që ndikon drejtpërdrejt  jo vetëm në florën, faunën e vetë lumit Buna si zonë e mbrojtur, por ndikon edhe në shëndetin e banorëve që jetojnë përreth brigjeve të lumit”, shprehet ajo.

Por, ndërsa është folur shumë për zbatimin e një projekti që do të ndalonte këtë katastrofë, gjendja në Bunë është përkeqësuar.

Sipas biologes është e nevojshme në mënyrë urgjente ngritja një impianti për përpunimin e ujërave të zeza, ku sipas saj nëse nuk merren masa atëherë do të përballemi më pasoja të rënda ekologjike.

“Diskutohet shumë herë, ndaj duhet të shihet si prioritet i bashkisë, që të gjendet zgjidhje sa më shpejtë për ndërtimin e impianti për përpunimin apo trajtimin e ujërave të zeza”, shprehet Piroviç.   

Ujërat e zeza të qytetit shkarkohen vetëm pak metra larg urës së vjetër të Bunës duke ndotur gjithë bregun e fshatrave të Nënshkodrës, që shtrihen në të dy anët e lumit, në një gjatësi prej rreth 40 kilometrash. Duket se lumi Buna nuk ka ndjerë asnjëherë ndërhyrjen për pastrimin apo thellimin e shtratit duke e rënduar së tepërmi situatën, në këtë ligatinë tepër të rëndësishme për Shkodrën, por në të ardhmen edhe për rajonin. Kjo ndotje ndikon direkt edhe në largimin apo dëmtimin e resurseve peshkore.

Gazetar: M.Rakaj

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›