E Diel, 1 Nëntor 2026

Ujësjellësi, Basha propozon marrjen në pronësi nga Bashkia, Tiranë

TIRANË-Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha do t’i propozojë nesër Këshillit Bashkiak të Tiranës marrjen në pronësi nga Bashkia e Tiranës të aksioneve të saj të Ujësjellës - Kanalizimeve sh.a, Tiranë.

Zyra e shtypit e bashkisë bëri të ditur se në mbledhjen e nesërme, Këshilli Bashkiak do të shqyrtojë projekt-vendimin “Për shpërndarjen në programe dhe zëra buxhetorë të fondit të papërdorur të vitit 2011”, prej rreth 357 milionë lekësh, i cili në bazë të ligjit “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, trashëgohet në vitin pasardhës.
Fondi i trashëguar nga viti 2011, do të alokohet 56% për investime dhe 37% për shpenzime korente, në programet kryesore të zhvillimit të qytetit, ndërsa 7% e këtij fondi do të jetë transfertë për Njësitë Bashkiake.
Basha e premtoi këtë pikë gjatë fushatës elektorale.

Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, do të shqyrtohet propozimi i Kryetarit të Bashkisë për zmadhimin e kapitalit të Klubit të Futbollit “Tirana sh.a”. Ky vendim parashikon dhënien e një shume prej 80 milionë lekësh Klubit të Tiranës, i cili do të përdoret për nevojat e klubit, si për përmirësimin e infrastrukturës, ndërtimin e Akademisë, përmirësimin e kushteve të stërvitjes, rinovimin e bazës materiale e nevoja të tjera të adresuara nga drejtuesit e Klubit të Futbollit të “Tiranës”.

Këshilli Bashkiak do të shqyrtojë në mbledhjen e nesërme edhe propozimin: ”Për krijimin e Qendrës Sociale ”Shtëpia e Përbashkët”. Kjo Qendër ndodhet në territorin e Njësisë Bashkiake numër 11 në Laprakë.

Në këtë Qendër do u ofrohen shërbime të ndryshme kategorive në nevojë, si informim, këshillim, asistencë ligjore, etj. Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha do t’i paraqesë Këshillit propozimin për vendosjen e pllakës përkujtimore, në banesën ku ka jetuar Artisti i Popullit (”Nder i Kombit”) Kadri Roshi, konsideruar si legjendë e skenës dhe ekranit shqiptar.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›