E Diel, 1 Nëntor 2026

Ujësjellësi premton furnizim të rregullt me ujë, qytetarët skeptikë mbi sasinë dhe cilësinë

Ferdinand Petrela: Këtë verë, kryeqyteti do të furnizohet me ujë të bollshëm  
Stina e nxehtë e verës për çdo vit ka sjellë me vete edhe probleme të shumta me ujin e pijshëm në kryeqytet. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe këtë vit pasi qytetarët pohojnë se ju duket e pashmangshme që ata të mos vuajnë me ujin e pijshëm gjatë verës. Nga ana tjetër Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë ka deklaruar se këto probleme nuk do të jenë të pranishme këtë vit për kryeqytetin. Madje ata garantojnë qytetarët se furnizimi do jetë i bollshëm dhe me një cilësi të mirë uji. Nga ana tjetër kjo garanci nuk merr konfirmim të plotë nga qytetarët të cilët pohojnë se këto probleme kanë nisur të evidentohen që në ditët e para të përfshira nga i nxehti.
Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve premton garanci për ujin
Këtë verë, qytetarët e Tiranës duket se nuk do të kenë probleme me furnizimin e ujit të pijshëm në stinën e nxehtë e cila sapo ka nisur. Garancia vjen nga ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë, e cila bazuar në sasinë e prurjeve të të gjitha burimeve të furnizimit, bën me dije se kjo verë nuk do të sjellë krizë të ujit të pijshëm. Sipas drejtorit Ferdinand Petrela, sivjet nuk ka zonë në kryeqytet pa ujë. Aktualisht në Tiranë sasia e prurjeve është 3560 l/s, ndërsa burimet tradicionalisht problematike Selitë-Shën Mëri, sivjet janë në kapacitet të plotë me 1200 l/s. Përveç prurjeve të kënaqshme për shkak të reshjeve të këtij dimri, drejtoria e ujësjellësit, ka ndërhyrë në riparimin e problemeve në rrjet në zona si, Kodër-Kamzë, Puset e Laknasit, Tiranë të Re e të tjerë.
Qytetarët, skeptikë për furnizimin me ujë të pijshëm
Pas premtimeve që u dhanë nga Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve ishin qytetarët ata që thanë se nuk i zënë besë megjithëse shpresojnë që këtë vit të mos vuajnë me ujin. Ata janë skeptik ndaj këtij fakti pasi e kanë vuajtur në shpinë për çdo vit gjatë sezonit të verës. Madje edhe për këtë vit kanë nisur ankesat e para për mosfurnizimin korrekt me ujë të pijshëm në disa zona të Tiranës. Ato që ankohen më shumë janë qytetarët që banojnë në pallate dhe sidomos ato të kateve të larta. Ata deklarojnë se depozitat e tyre nuk mbushen. Olta Karemani një banore e Komunës së Parisit shprehet: Kanë nisur problemet e ujit që në ditët e para të vapës. Na zuri tmerri pasi e dimë që kjo situatë sa vjen dhe rëndohet. Nëse tani nuk na mbushen plot depozitat do të thotë që më vonë nuk do na mbushen fare. Këtë gjë e kemi vuajtur për çdo vit. Unë kam rreth 3 vjet që jetoj në këtë zonë të kryeqytetit dhe këtë problem e kam hasur gjithmonë. Madje nuk jam e sigurtë edhe për cilësinë e ujit të pijshëm megjithëse na thonë se është i pastër. Gjithsesi jam e detyruar që ta blej por që të blej ujë edhe për të larë dhe për punë të tjera kjo është e tmerrshme. Shpresoj që premtimi që na u bë nga drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve të jetë i vërtetë dhe të mos e kalojmë këtë verë me bidonë në krahë. Ashtu si kjo zonjë shprehen të shqetësuar edhe shumë qytetarë të tjerë në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Problemet e ujit të pijshëm, të pranishme çdo vit
Kryeqyteti ka vuajtur pasojat e mungesës së ujit të pijshëm vazhdimisht por më të theksuara ato kanë qenë gjatë sezonit të verës. Zonat më problematike në Tiranë kanë qenë disa ku mund të përmendim Komunën e Parisit, Tiranën e Re, Kodra e Priftit etj. Ato që e kanë vuajtur më shumë mungesën e ujit të pijshëm janë banorët e pallateve në katet e larta të cilët e kalojnë gjithë sezonin e nxehtë në thatësirë të plotë. Entela Ara, banore e Tiranës së Re pohoi: Kjo zonë ka qenë prej vitesh shumë problematike sidomos gjatë verës. Me ardhjen e të nxehtit neve na thahen edhe tubacionet e ujit. Madje këto probleme kanë nisur të evidentohen edhe këtë vit megjithëse sapo është futur stina e verës. Presioni i ujit është ulur ndjeshëm për të mos folur për sigurinë e pastërtisë së ujit të pijshëm. Për çdo vit ne kemi depozituar qindra ankesa dhe kërkesa pranë Drejtorisë së Ujësjellës Kanalizimeve. Nga ata kemi marrë shumë premtime po vepra nuk kemi parë deri tani. Gjithmonë nga kanë thënë se do bëjnë shumë rregullime në rrjetin e ujësjellësit por ne kemi mbetur në të njëjtën gjendje. Ajo që e mundon më shumë Tiranën dhe që shkakton problemet me ujin e pijshëm është fakti se kanalizimet e ujërave të bardha si dhe ato të zeza janë shumë të vjetra. I njëjti rrjet ujësjellësi që ekzistonte kur Tirana kishte jo më shumë se 300 banorë ekziston edhe sot që kryeqyteti ka më shumë se një milion banorë. Gjë e cila ka sjellë amortizime të shumta si dhe mosfurnizim të bollshëm me ujë të pijshëm të qytetarëve. Ajo që i dëmton edhe më shumë këto tubacione si dhe presionin e ujit janë çarjet e shumta që janë bërë në tubacionet kryesore. Këtë gjë e kanë bërë shumë nga lavazhot dhe bizneset këtu në kryeqytet dhe këto acareje janë bërë të gjitha pa as edhe një lloj kriteri. Për shkak të këtyre problemeve kryeqyteti ka vuajtur çdo vit në sezonin e verës për ujë të pijshëm. Madje ka pasur zona që për javë apo muaj me radhë nuk janë furnizuar me ujë të pijshëm duke i lënë qytetarët në thatësirë të plotë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›