E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundojnë korrigjimet për testet e letërsisë

11/06/2009  Matura Shtetërore

Përfundon korrigjimi i provimit të parë të Maturës Shtetërore për 2009-n. Qendrat e vlerësimit të ngritura në rrethe kanë dorëzuar tashmë pranë Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve testet së bashku me rezultatet e arritura nga secili kandidat pjesëmarrës në provim. Sipas procedurës, pas grumbullimit të të gjitha këtyre testeve dhe rezultateve, do të nisë procesi i identifikimit ndërmjet kandidatit dhe pikëve të vlerësimit që ai ka marrë, të cilat do të ekuivalentohen në notë. Procesi Matching (përputhjes ose bashkërendimit) i rezultateve të sekretuara me emrat e maturantëve do të kryhet për të katër provimet e Maturës Shtetërore. Testet e maturantëve, pasi fillon provimi, sekretohen, pra pajisen me një barkod, i cili përbën identitetin e çdo maturanti. Në këtë mënyrë mësuesit (asnjë zyrtar tjetër) gjatë procesit të vlerësimit të testeve, për shkak të barkodit nuk njihen me identitetin e maturantëve dhe mund të kryejnë një vlerësim objektiv të tyre. Me përfundimin e vlerësimit testet e maturantëve shkodohen, një proces që kryhet vetëm nga kompjuteri, vijat e barkodit me anën e një aparati kthehen në shifra. Ky proces kryhet nga dy institucione: AVA-ja dhe APRIAL-i, njëri përmban barkodet e maturantëve dhe emrat, ndërsa tjetri barkodet e maturantëve dhe pikët, rezultatet. Anëtarët e komisionit Matching marrin rezultatet të bashkërenduara me emrat e maturantëve në një kompaktdisk (CD) vetëm të lexueshëm, me të gjithë emrat dhe rezultatet e maturantëve. Një CD-i e tillë i dorëzohet edhe ministrit, dy zëvendësministrave dhe sekretarit të përgjithshëm të MASH-it. Pas këtij procesi bëhet printimi i rezultateve, i cili u shpërndahet drejtorive arsimore për t’u afishuar në shkolla.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›