Uji, 7 bashkitë e mëdha kërkojnë rritje çmimi
Konsumatorët pritet të përballen me një rritje të çmimit të ujit. Janë 7 shoqëri ujësjellësi që kanë aplikuar pranë Entit Rregullator të Ujit, për tarifa të reja, më të larta. Bashkitë e Korçës, Gjirokastrës, Sarandës, Fierit, Lushnjes, Ersekës dhe Lezhës, kërkojnë nga ERRU, për të dytin vit radhazi tarifa të reja për ujin. Ana Metohu, drejtoreshë e Tarifave pranë ERRU ka folur dje në media mbi metodologjinë e përcaktimit të çmimit të ujit. “Për vitin 2013 kanë paraqitur aplikimin 7-të Bashki, 7-shoqëri ujësjellës kanalizime që janë nën Bashki përkatëse. Janë Korça, Saranda, Gjirokastra, Fieri, Lushnja, Erseka dhe Lezha. Tre nga këto shoqëri janë shoqëri të cilat kanë aplikuar edhe vitin e kaluar për ndryshimin e tarifave dhe sërish kanë aplikuar edhe këtë vit për të ndryshuar tarifat edhe këtë vit. Kemi tarifa të cilat nuk kanë ndryshuar prej vitesh të cilat shkojnë në nivelin në 25 lekë metër/kub. Por kemi edhe shoqëri të cilat kanë aplikuar vjet për ndryshimin e çmimeve, ku 1 metër/kub është 58 lekë” tha Ana Metohu, drejtore e Tarifave në ERRU. Tarifa përcaktohet gjithnjë mbi bazën e cilësisë së shërbimit që ofron shoqëria e ujësjellësit dhe kostos, e cila është e ndryshme për secilin qytet. “Rritja e tarifave gjithmonë duhet të jetë e shoqëruar me përmirësimin e shërbimit. Ne bëjmë rishikimin e të gjithë shërbimeve që shoqëria kryen pra koston e shërbimit dhe njëkohësisht edhe performancën e saj,” tha Ana Metohu, drejtore e Tarifave ERRU. Por Enti nuk merr parasysh në miratimin e një tarife faktin se një qytet merr ujë me orar të reduktuar. Pavarësisht kësaj, çmimi mund të rritet. “Nuk ka shumë lidhje direkte nëse ti ke një shërbim me orare të kufizuara pra për ta përmirësuar atë për të rritur orët e kufizimit. Patjetër që shoqërisë i duhen disa para për të përmirësuar orarin e kufizimit. T’i krijosh shoqërisë mundësinë të mbulojë koston për të bërë më shumë investime për përmirësimin e cilësisë së shërbimit” tha Ana Metohu, drejtore e Tarifave ERRU. Sipas të dhënave çmimi varion nga 25 lekë për metër/kub ujë, deri në 58 lekë për metër/kub ujë. Kryeqyteti operon me një tarifë prej 45 lekë për metër kub ujë dhe nuk ka aplikuar për tarifa të reja në dy vitet e fundit.