E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Një marrëveshje me FMN, siguri për ekonominë

Sipas Fullanit, një marrëveshje stand by me Fondin do të rriste besimin e investitorëve të huaj


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë jep një interviste për "Dow Jones Newswire" ku flet për ekonominë shqiptare

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në një intervistë për një nga mediat prestigjoze botërore në fushën e ekonomisë, e ka cilësuar një siguri më shumë për ekonominë vendase arritjen e një marrëveshjeje standby më Fondin Monetar Ndërkombëtar, megjithëse ekonomia vendase nuk është duke përjetuar probleme në mungesa likuiditeti.


Sipas guvernatorit, një marrëveshje e tillë do të rriste besimin e investitorëve tek ekonomia shqiptare. I pyetur për pritshmëritë në lidhje me rritjen ekonomike të vendit, Fullani është shprehur në një interviste për "Dow Jones Newswires", se priste një rritje pozitive për këtë vit.


Shkak për këtë sipas tij, është mbajtja e inflacionit në kufijtë e paracaktuar, i cili parashikohet që edhe përgjatë dy viteve të ardhshme të variojë midis 2 deri në 4 për qindëve. Nga ana tjetër, FMN parashikon që inflacioni në Shqipëri të jetë mesatarisht 1.5 për qind për këtë vit dhe 2.2 për qind për vitin 2010.


"Dow Jones Newswires", shkruan se, ekonomia shqiptare prej 13 miliardë dollarësh, pritet të jetë e vetmja në Europën Juglindore që do të shmangë ngadalësimin ekonomik shkaktuar nga kriza botërore. "Për t'iu përgjigjur rritjes së inflacionit, Banka e Shqipërisë, rriti normën bazë të interesit në muajin janar me 0.5 për pikë përqindje duke e çuar atë në 5.75 për qind.


Po ashtu ajo ka injektuar sasi të konsiderueshme likuiditeti në sistemin bankar", citohet më tej nga Doë Jonës Newswires. Duke iu referuar edhe të dhënave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në këtë të përditshme citohet se, Shqipëria do të këtë një rritje ekonomike me 0.4 për qind gjatë këtij viti dhe 2 për qind gjatë 2010-ës.


"Së bashku këto tregues janë shumë më të ulët në krahasim me rritjen prej 6 për qindësh që pati vitin e kaluar dhe parashikimit me 4 për qind të qeverisë shqiptare për këtë vit", thekson gazetarja Natasha Brereton.


Ndërsa, duke u bazuar në situatën e përkeqësuar globale, veçanërisht në Itali, shtet në të cilin Shqipëria dërgon gjysmën e eksporteve të saj, Guvernatori Fullani është shprehur, se vendi mund të përballet me një rritje ekonomike më të ulët se parashikimet për vitet në vazhdim.


Sipas "Dow Jones Newswires", ndryshe nga shumë vende të Europës Lindore, të cilat janë përqëndruar vrullshëm në fushën e shkëmbimeve tregtare gjatë muajve të fundit, për Shqipërinë nuk ka të dhëna që është duke u orvatur për thithjen e fondeve të huaja.


Por, pavarësisht këtij fakti, Guvernatori i BSH-së, bën thirrje se duhet treguar kujdes, duke vënë në dukje se mund të përballemi me ulje të burimeve të financimit të jashtëm, siç janë të ardhurat që përfitohen nga emigrantët që punojnë jashtë shtetit.


Duke shprehur shqetësimin për një thellim të deficitit fiskal, Fullani ka thënë se sistemi financiar në vend, ka para të mjaftueshme për të financuar veprimtarinë ekonomike për të ardhmen e afërt. "Koha dhe sasia e fondeve që do të kërkohet më pas do të varet nga madhësia dhe impakti i krizës në ekonominë tonë.


Ka ende shqetësime të mëdha, për sa i përket thellimit të deficitit tregtar", tha Fullani, duke theksuar se qëndron ende rreziku i përballjes me një zhvlerësim të mëtejshëm të monedhes vendase, dhe inflacionit.


Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ndërhyrë duke ofruar fonde për kalimin e pasojave të krizës ekonomike, për disa vende të Evropës, dhe tashmë ka nënshkruar marrëveshje për kredi me Serbinë, Bosnjen, Hungarinë dhe Rumaninë. Ndërsa, po merret në shqyrtim që e njëjta gjë të bëhet edhe për Malin e Zi, Maqedoninë, Kroacinë, Bullgarinë dhe Kosovën.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›