E Diel, 1 Nëntor 2026

Ujkani: Kaka mu afrua në fund të ndeshjes dhe më përgëzoi

Saimir Ujkani ka folur për debutimin
me fanellën e Palermos
në Serinë A, të dielën e kaluar
kundër Milanit. "Jam shumë i
lumtur që debutova pikërisht në
këtë ndeshje", deklaroi portieri
i Kombëtares shqiptare. "Do ta
mbaj mend si një ndeshje mjaft
speciale, pasi luajta kundër Milanit
në një stadium të jashtëzakonshëm
si ‘San Siro‘. Gjithsesi,
më vjen keq për faktin se rezultati
ishte negativ, pasi humbëm
3-0. Mund të them se për mua
personalisht ishte një ndeshje
e mirë. Kur trajneri më lajmëroi
të përgatitesha për të zëvendësuar
Amelian që u dëmtua, nuk
u mendova shumë: hyra në fushë
dhe dhashë maksimumin. Në
fund të ndeshjes m‘u afrua Kaka,
i cili më përgëzoi për paraqitjen,
duke më thënë se u tregova mjaft
i zoti. Çfarë do të bëj në të ardhmen?
Debutova në Serinë A dhe
gjithçka shkoi mirë. Kam ende
shumë për të mësuar, mund të
përmirësohem. Ndihem mirë te
Palermo, synoj të qëndroj gjatë
në këtë skuadër dhe të stërvitem
mirë". 20-vjeçari ka folur edhe
për marrëdhënien me portierin
titullar, Marko Amelia, i cili është
pjesë e Kombëtares italiane.
"Amelia më ndihmon shumë,
edhe gjatë seancave stërvitore më
udhëzon për ato çfarë duhet të
bëj. Në momentin e zëvendësimit
më tha të isha i qetë, ndërsa
menjëherë pas ndeshjes më pyeti
si rrodhën ngjarjet, pasi nuk
qëndroi në stol. Ai më këshilloi
të vazhdoj në këtë rrugë", shtoi
Ujkani. Paraqitja e "gardianit"
të talentuar është vlerësuar me
nota pozitive nga drejtuesit e
klubit sicilian dhe specialistët
e futbollit përtej Adriatikut. Në
fund, kuqeziu analizoi ndeshjen
me Milanin, duke u shprehur
i habitur për penalltinë e parë
të akorduar nga gjyqtari Ricoli:
"Pjesa e parë ishte shumë e keqe.
E pamë veten në disavantazh
pas një penalltie të dyshimtë
dhe jemi të zhgënjyer. Ndeshja e
ardhshme kundër Kaljarit është
vendimtare për ambiciet tona që
të sigurojmë një vend në kupat e
Evropës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›